Ambasadori i BE-së për Vettingun: Çdo reformë në drejtësi të bëhet në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog ka zhvilluar takim me Komisionin për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit të Përkohshëm të Vettingut në Sistemin Gjyqësor.

Szunyog përseriti qëndrimin e Bashkimit Evropian së se çdo reformë në drejtësi duhet të bëhet në përputhje të plotë me opinionin e Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës dhe standardet evropiane.

“BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me institucionet e Kosovës për çështjet e reformës në drejtësi”, ka thënë Szunyog.

Ndërkaq, sipas raportit të Komisionit të Venecias, Kosovës i sugjerohet që reformat në gjyqësor, t’i bëjë së pari duke përdorur mjetet ekzistuese për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor.

“Përkushtimi i Qeverisë që të implementojë në tërësi mendimin e Komisionit të Venecias për vetting-un e gjykatësve dhe prokurorëve, në bashkëpunim të ngushtë me BE-në, është i mirëpritur”, thuhet në draftin e raportit.

Qeveria e Kosovës, më 13 tetor, kishte miratuar koncept-dokumentin për vettingun në drejtësi përmes së cilit synohet të forcohet sundimi i ligjit.

Vettingu me ndryshime Kushtetuese kërkon dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës më herët kishin thënë se Kosovës i duhet vetting sistematik në drejtësi.

Ndërkaq Komisioni Evropian kishte kritikuar planin e Qeverisë së Kosovës për të bërë vetting “të njëhershëm të të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve”, duke thënë se ky do të ishte “burim serioz i shqetësimit”.

Vettingu është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

 

ADVERTISEMENT

Lexo edhe