Deputeti zviceran, Cédric Wermuth ka thënë për RTV Dukagjini se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe NATO-s. Madje, mosliberalizimin e vizave ndaj Kosovës e sheh si njërin nga gabimin më të madh të Evropës.
Për herë të parë në vitin 2011 u zgjodh deputet në Parlamentin e Zvicrës.
Nga holli i tij, deputeti zviceran nuk harroi asnjëherë të tregojë përkrahjen për Kosovën.
Wermuth që është bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe NATO-s.
E që mbështetja e tij si deputet dhe e partisë së tij në parlamentin zviceran do të jetë e madhe.
“Hapi i parë që Kosova duhet të bëjë tani është që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe e ka përkrahjen tonë në këtë proces. Grupi ynë parlamentar tashmë është konsultuar me qeverinë zvicerane, ku mori mbështjetjen tonë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Zvicra nuk është anëtarë e NATO-s, kështu që në këtë proces nuk mund të bëjmë shumë, por sigurisht që situata e sigurisë në rajon ka treguar që duhet të jenë pjesë e integrimit evropian dhe gjithashtu aleancës së sigurisë, NATO-s. Kjo do të hapte shumë prespektiven për Kosovën, mirëpo nuk mendoj që kjo mund të ndodhë shpejtë.”, ka thënë Cédric Wermuth, deputet në Parlamentin e Zvicrës.
Derisa, ai pret që tani pas rifillimit të dialogut, të shkohet drejt finalizimit të marrëveshjes dhe njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Serbia.
“Mendoj se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një nga gabimet e mëdha që Evropa po bën karshi Kosovës, sepse kjo po detyron të rinjtë kosovarë që në rrugë legale dhe jolegale të lëshojnë Kosovën. Kosova ka të drejtën e vet për liberalizim të vizave. Fatkeqësisht Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por ne si grup parlamentar kemi kërkuar nga qeveria zvicerane të bejë pjesë të diskutim në Bruksel, Berlin, Paris për ta shtyrë përpara këtë proces”, shtoi ai.
Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Reis Luzhnica, i cili për dy mandate po përfaqëson komunitetin shqiptar të Kosovës në asamblenë komunale në Zurich të Zvicrës.