I pari i ekzekutivit ka thënë se “nuk e sheh të nevojshëm krijimin e Asociacacionit, por se është i gatshëm për diskutime për të drejtat e komuniteteve joshumicë”.
Tutje Kurti ka treguar se kur e ka parë propozimin e njohur më parë si ‘franko-gjerman’ dhe ka thënë që nga atëherë kanë negociuar për arritjen e marrëveshjes.
Duke folur për kthimin e serbëve në institucione, veçanërisht në polici, Kurti tha se nuk pajtohet me gjendjen e tanishme dhe se nuk dëshiron që serbët në veri të zëvendësohen me shqiptarë.
“Më vjen shumë keq që ata kanë dhënë dorëheqje. Mendoj se dorëheqjet janë të gabuara. Unë në parim nuk përjashtoj askënd për t’u kthyer, por nuk jam kompetent që të vendosi për kriteret në vend të komisionit profesional. E them qartë, nuk kam ndërmend ta mbush atë vakum me shqiptarë. Nëse serbët kanë dhënë dorëheqje, serbët duhet të jenë në ato pozita dhe i ftoj të gjithë që të aplikojnë”, ka nënvizuar Kurti.
I pyetur për të vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë, shefi i Qeverisë tha se nuk ka hequr dorë nga premtimi i tij parazgjedhor se një nga prioritetet e tij është dialogu i brendshëm me serbët, por se aktualisht nuk ekziston mirëbesimi i nevojshëm. Ai ka paralajmëruar 123 projekte për ndërmarrje të vogla dhe biznese fillestare, prej të cilave 48 janë të destinuara për komunitetin serb.