Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për tokën në Graçanicë, hapet rruga për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për autizëm dhe sindromën Down

Kushtetuesja i jep të drejtë Qeverisë për tokën në Graçanicë, hapet rruga për ndërtimin e Qendrës Rezidenciale për autizëm dhe sindromën Down

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur se vendimi i Qeverisë për bartjen e një pjese të tokës komunale në Graçanicë në pronësi të shtetit, për ndërtimin e Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë Down dhe aftësi të kufizuara”, është në përputhje me Kushtetutën.

Sipas aktgjykimit në rastin KO84/25, të publikuar të martën, Gjykata ka konstatuar me shumicë votash se Vendimi nr. 05/218 i Qeverisë, i miratuar më 28 gusht 2024, nuk cenon kompetencat kushtetuese të Komunës së Graçanicës dhe është në pajtueshmëri me dispozitat kushtetuese që rregullojnë pushtetin lokal dhe vetëqeverisjen komunale.

Rasti ishte iniciuar nga Komuna e Graçanicës, e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Qeverisë, duke pretenduar se tokat komunale ishin marrë në mënyrë të njëanshme dhe se projekti mund të ndikonte edhe në aspektin mjedisor.

Megjithatë, Kushtetuesja vlerësoi se Ligji për Pronën Publike i jep përparësi interesit publik dhe obligon pushtetin lokal që, kur është e nevojshme për realizimin e një interesi publik të Kosovës, t’ia bartë pronën shtetit pa kompensim.

Sipas aktgjykimit, ndërtimi i Qendrës Rezidenciale për persona me autizëm, sindromë Down dhe aftësi të kufizuara konsiderohet projekt në interes publik, pasi do të jetë në shërbim të qytetarëve nga e gjithë Kosova, përfshirë edhe banorët e Komunës së Graçanicës.

Gjykata po ashtu ka shfuqizuar masën e përkohshme që kishte pezulluar zbatimin e vendimit, duke i hapur rrugë realizimit të projektit.

Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi rezidencial që do të menaxhohet nga Shoqata Bamirëse Jetimat e Ballkanit, e cila sipas vendimit të Qeverisë do ta ketë në shfrytëzim hapësirën për një periudhë 99-vjeçare.

Ky vendim final i Kushtetueses i jep fund kontestit ligjor mes Komunës së Graçanicës dhe institucioneve qendrore, duke hapur rrugën për nisjen e punimeve në projektin që synon të ofrojë kujdes dhe shërbime të specializuara për fëmijët, të rriturit dhe personat e moshuar me nevoja të veçanta.

Komunikata e plotë e Gjykatës Kushtetuese: 

Njoftim për publikimin e Aktgjykimit KO84/25

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KO84/25, të parashtruar nga Komuna e Graçanicës, e cila, bazuar në paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara], ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 05/218], të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës më 28 gusht 2024.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata vendosi që: (i) ta deklarojë, njëzëri, kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe një (1) kundër, se Vendimi [Nr.05/218] i 28 gushtit 2024 i Qeverisë së Republikës së Kosovës është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafin 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 dhe 4 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe (iii) të konstatojë, me gjashtë (6) vota për dhe një (1) kundër, që Vendimi i Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme, i 31 korrikut 2025, dhe vendimet për vazhdimin e masës së përkohshme, të 21 tetorit 2025 dhe 28 janarit 2026, shfuqizohen.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me nxjerrjen e Vendimit të kontestuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes të cilit ishte përcaktuar ndërtimi i Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë”, në disa pjesë të ngastrave kadastrale që ishin në pronësi të parashtruesit të kërkesës. Vendimi i kontestuar parashikonte që disa pjesë të ngastrave kadastrale në pronësi të parashtruesit të kërkesës të kalonin në pronësi të Republikës së Kosovës dhe t’i jepeshin në shfrytëzim Shoqatës Bamirëse “Jetimat e Ballkanit” në periudhë prej 99 vitesh. Vendimi i kontestuar përcaktonte se ndërtimi i Kompleksit “Qendra Rezidenciale e Kosovës për autizëm, sindromë daun, dhe aftësi të kufizuar për fëmijë, persona të rritur dhe të moshës së shtyrë” do të vihej në shërbim të të gjithë personave me nevoja të veçanta,; përkatësisht ishte në dobi të interesit publik.

Për pasojë, parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës Kushtetuese, kontestoi Vendimin e Qeverisë, duke pretenduar ndër tjerash se : (i) Qeveria ka nxjerrë Vendimin e kontestuar në mënyrë të njëanshme, pa zhvilluar asnjë dialog me Komunën e Graçanicës; (ii) Kuvendi i Komunës së Graçanicës, më 26 gusht 2019, ka nxjerrë Vendimin [nr. 50/2019/KG] për dhënien e parcelës në shfrytëzim afatgjatë kompanisë KRU Prishtina; (iii) çështja e marrëveshjes ndërmjet Komunës së Graçanicës dhe një kompanie lidhur me ndërtimin e parkut diellor me kapacitet prej 4×5 MW është ndërprerë për shkak të tërheqjes së donatorit; (iv) Qeveria, përmes Vendimit të kontestuar, paligjshëm ka sekuestruar pjesët e njësive kadastrale [nr. 150-0], [nr. 155-0] dhe [nr. 17-8]; dhe se (v) ndërtimi i objektit të synuar nga Qeveria në parcelën kadastrale [nr. 17-8] e dëmton edhe sistemin ekologjik sepse parcela në fjalë është 80% e mbuluar me pyll, ndërsa ndërtimi i objektit do të zhdukte sipërfaqen pyjore në masë të madhe. Më konkretisht, parashtruesi i kërkesës para Gjykatës pretendoi se Vendimi i kontestuar bie ndesh me nenin 3 [Barazia para Ligjit], nenin 7 [Vlerat] dhe nenin 52 [Përgjegjësia për Mjedisin Jetësor] të Kushtetutës.

Gjykata, bazuar në pretendimet e parashtruesit të kërkesës dhe kundërargumentet e palëve të interesuara, përkatësisht Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrisë së Pushtetit dhe Administrimit Lokal, të dorëzuara në Gjykatë dhe të paraqitura gjatë seancës dëgjimore më 23 mars 2026, vlerësoi se paragrafi 4 i nenit 113 të Kushtetutës autorizon komunat që si parashtrues të kërkesave, të kontestojnë kushtetutshmërinë e ligjeve ose të akteve të Qeverisë, që cenojnë përgjegjësitë komunale ose zvogëlojnë të hyrat e komunës. Kjo është e mundur në rast se komuna përkatëse preket nga ai ligj ose akt, duke pretenduar shkelje të dispozitave kushtetuese që rregullojnë çështjet e vetëqeverisjes lokale, siç janë nenet 12 [Pushteti Lokal], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës. Në këtë kuptim, Gjykata vlerësoi se objekt i vlerësimit të kërkesës është nëse Vendimi i kontestuar i Qeverisë, i cili është nxjerrë në emër të interesit publik, ka cenuar përcaktimin kushtetues mbi kompetencat vetanake të komunave dhe nëse ka zvogëluar të hyrat komunale të parashtruesit të kërkesës.

Në vlerësimin e kërkesës së parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me vetëqeverisjen lokale sipas Kushtetutës, Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës, si dhe praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese ndërlidhur me kompetencat komunale. Në këtë kontekst, Gjykata, fillimisht iu referua kompetencave të Qeverisë, të përcaktuara në nenet 92 [Parimet e Përgjithshme] dhe 93 [Kompetencat e Qeverisë] të Kushtetutës. Ndërkaq, në kontekst të kompetencave komunale, Gjykata duke u bazuar në nenet 12 [Pushteti Lokal], 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës, respektivisht, ndër të tjera, ritheksoi se: (i) njësi themelore territoriale të vetëqeverisjes lokale në Republikën e Kosovës janë komunat dhe se organizimi dhe kompetencat e njësive të vetëqeverisjes lokale rregullohen me ligj; (ii) komunat kanë kompetenca “vetanake”, “të zgjeruara” dhe “të deleguara”; dhe se (iii) rishikimi administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore, në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutën dhe me ligjin. Për më tepër, bazuar në këto nene kushtetuese, Gjykata theksoi se veprimtaria e organeve të vetëqeverisjes lokale bazohet në Kushtetutë dhe në ligje dhe respekton Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale. Ashtu siç është sqaruar edhe në Aktgjykim, Gjykata, duke iu referuar paragrafit 4 të nenit 4 (Rëndësia e autonomisë lokale) të Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale, theksoi se kjo dispozitë, e cila është pjesë integrale e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, qartazi përcakton se komunat kanë kompetenca të plota, por që nuk janë absolute, sepse mund të kufizohen me ligj.

Në dritën e të lartcekurave, Gjykata theksoi se Ligji për Vetëqeverisjen Lokale përbën bazë të rëndësishme mbi të cilën Gjykata duhet të vlerësojë llojet dhe natyrën e kompetencave që hyjnë në kategorinë e kompetencave “vetanake” të komunave, në kuptim të paragrafit 3 të nenit 124 të Kushtetutës. Gjykata po ashtu sqaroi se në rastin konkret, Ligji për Pronën Publike është po ashtu ligj që rregullon aspekte të administrimit dhe menaxhimit të pronës nga pushteti lokal dhe pushteti qendror.

Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata theksoi se paragrafët 1, 3 dhe 5 të nenit 5 (Parimet e administrimit me pronën publike) të Ligjit nr. 08/L-125 për Pronën Publike (Ligji për Pronën Publike) përcaktojnë se prona publike duhet të administrohet bazuar në kriteret e ligjshmërisë, publicitetit dhe interesit publik. Në vijim, Aktgjykimi sqaron se neni 16 i Ligjit për Pronën Publike përcakton se (i) prona publike administrohet në mënyrë ekonomike për qëllime të interesit publik; (ii) vë obligim ligjor ndaj pushtetit lokal dhe pushtetit qendror që të bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimtarinë e tyre në të mirë dhe me qëllim të realizimit të interesit publik; si dhe (iii) pushteti lokal, për qëllime të interesit publik, obligohet që pronën e nevojshme për realizimin e një interesi publik të Kosovës t’ia bartë shtetit të Kosovës, pa kompensim. Në këtë kuptim, Gjykata vuri në dukje se paragrafi 1 i nenit 16 të Ligjit për Pronën Publike qartësisht i jep përparësi interesit publik kundrejt interesave të parashtruesit të kërkesës, aq më tepër, kur ndërtimi i Qendrës Rezidenciale përfshin interesin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë këtu edhe interesin e të gjithë qytetarëve të Komunës së Graçanicës dhe vetë institucioneve komunale të kësaj njësie lokale.

Për më shumë informata, ju lutemi vizitoni uebfaqen zyrtare të

Gjykatës Kushtetuese: https://gjk-ks.org/