RCD Mallorca ka rënë nga La Liga, pavarësisht fitores bindëse 3-0 ndaj Real Oviedo në ndeshjen e fundit të sezonit.
Skuadra nga Mallorca nuk arriti të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit spanjoll, edhe pse e mbylli kampionatin me një triumf të rëndësishëm dhe me një tjetër paraqitje të shkëlqyer të yllit kosovar Vedat Muriqi.
Sulmuesi i Kosovës realizoi edhe një gol në këtë takim, duke vulosur një sezon fantastik personal, që konsiderohet si më i miri në karrierën e tij.
Muriqi ishte një nga protagonistët kryesorë të La Ligës këtë edicion, duke rivalizuar deri në fund me Kylian Mbappe në garën për “Pichichi”, trofeun që i jepet golashënuesit më të mirë të kampionatit.
Në fund, Mbappe e fitoi garën me 25 gola, vetëm dy më shumë se Muriqi, i cili e përfundoi sezonin me 23 realizime, duke hyrë në mesin e sulmuesve më efikasë të futbollit spanjoll.
Mallorca e dominoi ndeshjen ndaj Oviedos dhe fitoi me rezultat të pastër 3-0, por kjo nuk mjaftoi për të siguruar mbijetesën. Skuadra e mbylli sezonin me 42 pikë, po aq sa kishin edhe Levante UD dhe CA Osasuna, mirëpo këto dy skuadra kishin avantazh në përballjet direkte dhe arritën të siguronin qëndrimin në elitë.
Pas rënies nga liga, gjithnjë e më shumë po flitet për të ardhmen e Vedat Muriqit, me raportimet që sugjerojnë se ky mund të ketë qenë sezoni i fundit i tij me fanellën e Mallorcas.
Për sulmuesin kosovar raportohet se ka interesim nga disa klube të njohura evropiane, ndërsa në mediat spanjolle është përmendur edhe FC Barcelona si një nga skuadrat që po e monitoron situatën e tij.
Në anën tjetër, mbetet e paqartë edhe e ardhmja e Muriqit me Kombëtaren e Kosovës, pasi sulmuesi kohëve të fundit kishte lënë të hapur mundësinë e tërheqjes nga kombëtarja, duke ngritur pikëpyetje për vazhdimin e karrierës së tij në nivel ndërkombëtar.



Të tjera
5 arsye pse duhet të hani sa më shumë ullinj
Nuk mjaftojnë golat e Muriqit, Mallorca bie në La Liga 2
Kjo është arsyeja pse keni gjakderdhje nga hundët gjatë dimrit