Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka arrestuar të martën tre persona të dyshuar për përfshirje në një sërë veprash të rënda penale.
Të arrestuarit, me inicialet A.A., S.D. dhe B.K., dyshohen për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, financim të terrorizmit, shpëlarje parash, mashtrim dhe detyrim.
Po ashtu, ata dyshohen edhe për vepra që lidhen me armëmbajtje të paautorizuar, përfshirë importin, eksportin, furnizimin, transportimin dhe shitjen e armëve apo materialeve plasëse, si dhe për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve dhe substancave psikotrope.
Sipas njoftimit zyrtar, aksioni policor është zhvilluar me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë FBI-në amerikane dhe Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP), të cilët kanë qenë të angazhuar në terren gjatë operacionit.
Operacioni është mbështetur gjithashtu nga zyra OPDAT e Departamentit të Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me vendim të prokurorit special, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet po vazhdojnë./Telegrafi.



Të tjera
Boronica është fruti më i shëndetshëm në botë, ja arsyet
Olta Gixhari ndan pamje nga pushimet në Spanjë, shfaqet me fustan të kuq dhe shumë natyrale
Madonna mbledh 16 yje në videoklipin e ri, fansat sfidohen t’i dallojnë të gjithë