Shoqatat e dala nga Lufta refuzojnë pjesëmarrjen në “Ditën e Çlirimit”

OVL UÇK distancohet nga protestuesit në Shqipëri me flamurin e UÇK-së

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL UÇK) ka reaguar duke deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me individët që u shfaqën në një protestë në Shqipëri me flamurin e UÇK-së dhe që, sipas saj, kanë pretenduar se flasin në emër të veteranëve të UÇK-së.

Në reagim theksohet se ky pretendim është i rremë dhe se organizata nuk ka dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emër të saj, duke shtuar se përfaqësimi i saj në Tiranë është i përcaktuar.

OVL UÇK thekson se nuk ka pasur asnjë bashkërendim dhe se nuk është përfaqësuar asnjë qëndrim i organizatës në atë rast.

“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kudo që shfaqet, mbart peshën e asaj sakrifice dhe kjo peshë nuk mund të huazohet për agjendën ditore të dikujt”, thuhet në reagim.

Organizata kërkon që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe që të mos keqpërdoren në të ardhmen.