PDK-ja: Nëse dështon Kurti, do të marrim iniciativën për të formuar Qeverinë

PDK diskuton rezultatin zgjedhor, paralajmëron zgjedhje të brendshme

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën është diskutuar rezultati i zgjedhjeve dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë, transmeton KosovaPost.

Sipas PDK-së, pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, “përbën një sinjal serioz që reflekton lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimin e madh shoqëror dhe zhgënjimin e akumuluar gjatë viteve të fundit”.

Në mbledhje u diskutua edhe ndikimi i rrethanave të përgjithshme politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor.

“Masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve u vlerësua se kanë ndikuar në krijimin e perceptimit te një pjesë e elektoratit opozitar se rezultati zgjedhor ishte i paracaktuar, duke ndikuar në dekurajimin e tyre për të dalë në votime”, thuhet në njoftim.

Pavarësisht këtyre rrethanave, Kryesia vlerësoi se PDK-ja mbetet subjekti më i madh opozitar, duke ruajtur përqindjen e përfaqësimit politik, me mundësi rritjeje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvend.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, theksoi se gjatë periudhës së fundit partia është përballur me procese të shumta zgjedhore të njëpasnjëshme.

Në këtë mbledhje, Kryesia diskutoi edhe proceset e ardhshme, përfshirë zgjedhjet e brendshme partiake, të cilat, sipas saj, do të jenë “të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse, me synim krijimin e hapësirës për ide të reja, energji të reja dhe përfshirje më të madhe të gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të PDK-së”.

Kryesia diskutoi mundësinë që procesi i brendshëm zgjedhor të fillojë në shtator 2026.

Po ashtu, u ritheksua rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, “si një proces me rëndësi të veçantë për lirinë, pavarësinë dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e përkushtuar për të reflektuar mbi secilin mësim të nxjerrë nga procesi zgjedhor dhe për të vazhduar punën në shërbim të qytetarëve dhe interesit shtetëror të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim