Rama dhe Macron inaugurojnë shkollën franceze të kodimit “Ecole 42”

Rama dhe Macron inaugurojnë shkollën franceze të kodimit “Ecole 42”

Kryeministri Edi Rama, bashkë me presidentin francez, Emanuel Macron, në mbarim të Samitit të Komunitetit Politik të Evropës, kanë zhvilluar mbrëmjen e së premtes edhe një vizitë te Piramida e Tiranës, për të marrë pjesë në inaugurimin e shkollës franceze të kodimit “Ecole 42”.

Shkolla franceze e kodimit “Ecole 42”, është një nga shkollat më prestigjioze franceze në fushën e kodimit. Ajo është e pranishme në 31 shtete të botës, dhe nga sot do të jetë tashmë edhe në Shqipëri, si një strukturë e dedikuar drejt botës së teknologjisë.

Gjatë kësaj vizite, Rama dhe Macron biseduan me të rinjtë që janë bërë pjesë e shkollës “Ecole 42”.

Presidenti Macron është njohur me projektin, qëllimin e tij, teksa ka biseduar nga afër me drejtuesit e shkollës dhe me studentët e rinj, duke dëgjuar edhe përshtypjet e tyre.

Pasi u takua me të gjithë studentët e pranishëm, presidenti francez kërkoi edhe realizimin e një fotografie të përbashkët kortezie dhe falënderimi, duke i përgëzuar për punën e deritanishme, si dhe duke u uruar suksese të mëtejshme në këtë projekt.

“Për ti dhënë dritën jeshile “Ecole 42”, shkollës prestigjioze franceze të kodimit, e pranishme në 31 shtete, e tashmë edhe në Shqipëri, si një strukturë e dedikuar drejt botës së teknologjisë”, ka shkruar Rama në llogarinë e tij në Facebook, pëcjell KosovaPost.