Presidenti amerikan Donald Trump ka prezantuar një program të ri imigracioni, i quajtur Trump Gold Card (Karta e Artë Trump), që ofron viza të përshpejtuara për të huajt e pasur që paguajnë të paktën 1 milion dollarë.
Sipas Trump-it, karta e artë ofron një “rrugë të drejtpërdrejtë drejt shtetësisë për të gjithë personat e kualifikuar dhe të verifikuar”, duke u dhënë kompanive amerikane mundësinë të mbajnë talentin e tyre më të vlefshëm.
Sipas BBC, programi, i shpallur për herë të parë në fillim të vitit, premton rezidencë në SHBA “në kohë rekord” dhe kërkon një pagesë prej 1 milion dollarësh si provë se aplikanti do të sjellë përfitime të mëdha për vendin. Bizneset që sponsorizojnë punonjësit e tyre duhet të paguajnë 2 milion dollarë, ndërsa një version “platinum” me lehtësime tatimore pritet të kushtojë 5 milion dollarë. Përveç kësaj, çdo aplikant duhet të paguajë një tarifë përpunimi prej 15 mijë dollarësh, e pakthyeshme.
Skema ka ngjallur kritika, veçanërisht nga demokratët, të cilët thonë se favorizon padrejtësisht individët e pasur. Ndryshe nga green card (karta jeshile), që u jep mundësi emigrantëve të niveleve të ndryshme të të ardhurave të jetojnë dhe punojnë në SHBA, Gold Card synon profesionistë “të nivelit të lartë”. Trump ka theksuar: “Ne duam njerëz produktivë. Ata që paguajnë 5 milion dollarë do të krijojnë vende pune.”
Programi vjen në një kohë kur administrata Trump ka ashpërsuar politikat e imigracionit, duke rritur tarifat për vizat e punës, pezulluar aplikimet nga 19 vende të Afrikës dhe Lindjes së Mesme që janë subjekt i ndalimit të udhëtimit, si dhe duke ndaluar vendimet për azil. Në shtator, Trump nënshkroi një urdhër për tarifë prej 100 mijë dollarësh për aplikantët e rinj të vizës H-1B, duke shkaktuar shqetësim te studentët e huaj dhe kompanitë e teknologjisë.



Të tjera
Të mirat e dardhës, ndihmon edhe kundër diabetit
Do të marrim edhe helikopterë Black Hawk
Shqiptarët në Luginë përballen me bllokim fondesh, pasivizim adresash dhe krizë sigurie