Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet
e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i
paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e
terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit.
Miliona njerëz në të gjithë jetojnë me probleme të dëgjimit.
Ndërgjegjësimi për rreziqet që shkaktojnë humbjen e dëgjimit dhe përmirësimi i
aksesit ndaj shërbimeve në nivelin e kujdesit shëndetësor parësor, mund të
zvogëlojë rastet dhe ndikimin negativ të humbjes së dëgjimit. Identifikimi i
hershëm i humbjes së dëgjimit është çelësi. Humbja e dëgjimit e patrajtuar mund
të çojë në largimin e njerëzve nga mjediset shoqërore, duke shkaktuar ndjenja
vetmie dhe izolim social. Humbja e dëgjimit e lidhur me moshën mund të
menaxhohet në mënyrë efektive përmes një sërë mjetesh, duke përfshirë aparatet
e dëgjimit. Ekspozimi i rregullt ndaj tingujve me volum të lartë për një
periudhë të gjatë paraqet një kërcënim serioz për humbjen e dëgjimit të
pakthyeshëm. Infeksionet kronike të veshit janë një ndër shkaqet kryesore të
humbjes së dëgjimit. Ato janë të parandalueshme dhe mund të menaxhohen në
mënyrë efektive përmes trajtimit mjekësor dhe ndërhyrjeve kirurgjike.
Shenjat
Shenjat klinike janë rënia e menjëhershme e dëgjimit e
shoqëruar apo jo me zhurmë në vesh. Në rastin e virozave shoqërohet me bllokim
hundësh, sekrecione të trashura dhe me ngjyrë, dhimbje koke, marrje mendsh etj.
Në rastin e bllokimit pas daljes nga dushi mund të shoqërohet me dhimbje të
kanalit. Në rastin e pacientëve me sëmundje hipertensive, që mund të
anashkalojnë ose të marrin mjekim jo të rregullt dhe ngrihen në mëngjes me
humbje të menjëhershme të dëgjimit zakonisht nuk kemi asnjë shenjë tjetër
klinike. Pra, në situata të ndryshme edhe klinika është e ndryshme. Serioziteti
i patologjisë varet nga shkalla e rënies së dëgjimit, vazhdimësia në kohë dhe
nga sëmundjet e tjera shoqëruese. Në bllokimet e menjëhershme pas dushit nga
dylli në vesh problemi është i zgjidhshëm në mënyrë të menjëhershme pas vizitës
te mjeku orl dhe lavazhit të veshit. Në rastin e bllokimeve pas virozave dhe
sidomos pas krizave hipertensive e traumave akustike problemi është më serioz.
Diagnoza
Në rastet e rënies së menjëhershme të dëgjimit, zhurmë në
vesh dhe shqetësimi i tyre është i dukshëm, bëhet otoskopia, pra këqyrja e
kanalit të jashtëm të dëgjimit deri në membranë timpanike, ekzaminimi i hundës
dhe i fytit, pra i të tre organeve për të shqyrtuar një patologji të mundshme
që i lidh të tria. Bëhen provat kamertonale, matja e nivelit të dëgjimit
(audiometria) dhe matja e presionit në veshin e mesëm (timpanometria). Në
rastin e fëmijëve të vegjël të cilët nuk bashkëpunojnë, bëhet vetëm
timpanometria. Ajo që na ndihmon shumë në vendosjen e diagnozës është anamneza
ose historia e sëmundjes së pacientit, shenjat e tjera shoqëruese, mosha.
Rëniet e menjëhershme të dëgjimit në mosha të reja pa asnjë shenjë klinike,
mund të kërkojnë edhe bërjen e një rezonance magnetike të kokës për ndonjë
patologji tjetër shoqëruese që nuk ka lidhje me veshin.
Trajtimi
Mjekimi i rënies së menjëhershme të dëgjimit është në varësi të situatës, që e ka shkaktuar. Nëse rënia vjen nga bllokimi i kanalit nga dylli aplikohet lavazhi me ujë ose aspirimi i kanalit në varësi të sëmundjeve të mëparshme të veshit. Nëse rënia shoqërohet me probleme të tjera si gjendja virale, bllokimi i hundëve, sekrecione, dhimbje koke atëherë fillohet mjekimi edhe për patologjitë shoqëruese, që e shkaktojnë. Nëse rënia e menjëhershme shfaqet te pacientët me moshë të madhe një ndihmë të madhe në mjekim, jep kortizoni, por këta pacientë edhe mund të hospitalizohen, që të mbahen nën kontroll për problemet hipertensive që shoqërojnë mjekimin me kortizon. E njëjta gjë mund të ndodhë edhe te pacientët diabetikë. Në rastin e krizave të sëmundjes menier ose sëmundjes së veshit të brendshëm fillohet një terapi specifike. Kujdes në rastet e rënies nga traumat akustike, shpërthimet e ndryshme, gjuajtjet me armë me veshët e pambrojtur, ku rëndësi ka momenti i paraqitjes te mjeku sepse edhe minuta është e rëndësishme në fillimin e terapisë dhe në rikuperimin e plotë të dëgjimit. /mapo.al



Të tjera
Gjykata jep vendimin përfundimtar, autori i incidentit me tifozët e Liverpoolit dënohet me 21 vjet burg
Stresi godet gratë më shumë
Gjigantët e Premier League pas rezervistit të Interit