Me rastin e 147-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit, simbolit historik të unitetit dhe përkatësisë kombëtare shqiptare, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, së bashku me Zonjën e Parë, Armanda Begaj, zhvilluan një vizitë zyrtare në qytetin e Prizrenit.
Presidenti Begaj u prit me nderime të larta nga Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, si dhe nga qytetarët e pranishëm në këtë ngjarje përkujtimore. Ceremonia nisi me vendosjen e kurorave me lule në monumentin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në prani edhe të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij, Presidenti Begaj ka theksuar rëndësinë e kësaj date historike për shqiptarët në të gjitha trojet dhe përkushtimin për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët mbi vlerat e bashkëpunimit dhe krenarisë kombëtare.
“Historia jonë është një, rrënjët tona janë të përbashkëta, dhe e ardhmja jonë ndërtohet mbi themelet e qëndrueshme të bashkëpunimit, krenarisë dhe përkushtimit kombëtar,” u shpreh Presidenti Begaj.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, në një postim zyrtar, në Facebook, e ka cilësuar Lidhjen e Prizrenit si shprehje të përkatësisë evropiane të kombit shqiptar dhe vlerësoi figurat historike që kontribuuan në realizimin e idealit të bashkimit kombëtar.
“Lavdi Lidhjes së Prizrenit! Nderime për ata që i dhanë jetë idealit të përbashkët shqiptar!”, thuhet në postimin e Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë.



Të tjera
Ata po furnizohen edhe me armë sulmi, kjo më shqetëson
Ballkani në epërsi të dyfishtë ndaj Dritës
Studimet më të reja tregojnë përse nuk do të duhej të nxirrni dhëmballët