Sot më 17 janar mbushën 24 vjet nga vrasja e ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lidhja Demokratike të Kosovës dhe komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rugovë, Smajl Hajdaraj.
Edhe 24 vite më pas, vrasja e tij nuk është zbardhur. Për më tepër se dy dekada është kërkuar të zbardhet kjo vrasje, mirëpo institucionet e drejtësisë në Kosovë, nuk ‘zbuluan’ asnjë gjurmë.
Hajdaraj u ekzekutua me armë zjarri, teksa po hynte në banesën e tij. Disa persona të panjohur e qëlluan disa herë dhe ai ndërroi jetë në vend.
Edhe pse u cilësua si vrasje politike, për shumë vite rresht rasti mbeti pa autorë të dënuar, duke u renditur ndër atentatet më të rënda të pasluftës në Kosovë.
“Shpresoj që Gjykata Speciale mund ta zbardhë rastin e vrasjes politike të babait tim”
Madje, lidhur me vrasjen e veprimtarit Hajdaraj, ka folur për djali i tij, Shpëtim Hajdaraj. Ai thotë se pret nga Gjykata Speciale që ta hetoj këtë vrasje, pasi kjo është gjykatë e Republikës së Kosovës.
Ai thekson se nëse kjo gjykatë nuk e bën një gjë të tillë, atëherë si familje nuk do të dorëzohen derisa të arrihet drejtësia.
“Është më se e natyrshme, dhe nuk kam asnjë arsye mos me shpresu që Gjykata Speciale mund ta zbardhë vrasjen e babait tim. Është gjykatë e Republikës së Kosovës, e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe në mungesë të rezultateve nga autoritetet e drejtësisë së Kosovës, shpresoj që Gjykata Speciale mund ta zbardhë rastin e vrasjes politike të babait tim. Nëse nuk e bën një gjë të tillë, atëherë ne insistojmë e nuk do të dorëzohemi kurrë që ta bëjnë një gjë të tillë institucionet tona vendore të drejtësisë. Ne nuk do të dorëzohemi kurrë deri të arrihet drehtësia”, thekson ai.
“Ne nuk kemi asnjë informacion të ri, po as një rezultat të ri, së paku asnjë iniciativë e re nga drejtësia. Jemi të zhgënjyer, nuk ka as vullnet për ta zbardhur rastin”, thotë ai.
Hajdaraj përmend edhe arsyet se pse nuk është hedhur dritë për këtë rast deri më tani, nga institucionet e Kosovës. Ai thotë se duket se nuk ka as forcë, e as guxim për t’i zbardhur vrasjet politike, me të vetmin qëllim marrjen e pushtetit me dhunë, që ka mbizotëruar sidomos pas lufte.
“Si familje, vlerësojmë se deri më tani, as organet e drejtësisë nuk kanë e as nuk kanë pasur vullnet e as guxim me e zgjidhë rastin dhe rastet tjera. Ne si familje e unë si djalë i tij, nuk do rreshtim së kërkuari drejtësi, por nuk duhet të mbetemi vetëm në kërkesë, se Smajli nuk është vra për asnjë çështje personale e familjare, ka qenë aktivist e komandant lufte për çlirim dhe pas lufte Deputet i Kuvendit të Kosovës, dhe jo vetën ne që mendojmë, por edhe shteti i Kosovës i ka borgj Smajlit, edhe ne si familje po edhe shoqërisë tone”, thotë ai.
“E tmerrshme ky fakt, janë vra vetëm pse kanë menduar ndryshe dhe kanë qenë bashkëpunëtor të Rugovës, edhe pse kanë qenë edhe veprimtar, madje edhe luftëtar të UÇK-së, siç ishte babai im-komandant i UÇK-së për Rugovë si rajon”, thotë për, Shpetim Hajdaraj, djali i veprimtarit Smajl Hajdaraj.
Ish-bashkëluftëtari i Sali Çekaj thotë se drejtësia për atentatet e pasluftës ende mungon
Muaji janar mbetet një nga periudhat më të rënda në historinë kombëtare shqiptare, pasi në këtë muaj u vranë disa nga figurat më të shquara të kombit. Sipas Saim Tahirajt, ish-bashkëluftëtar i heroit Sali Çekaj, kjo peshë tragjike rëndohet edhe më shumë me vrasjen e deputetit dhe ish-komandantit të UÇK-së, Smajl Hajdaraj.
“Janari hyri në histori si muaji më i kobshëm për kombin shqiptar. Ky kob u thellua edhe më shumë me vrasjen e Smajl Hajdarajt, një prej figurave më të ndritura të luftës dhe të shtetndërtimit”, deklaron Tahiraj.
Ai vlerëson se vrasjet e pasluftës nuk ishin të rastësishme, por pjesë e një skenari të mirëorganizuar.
“Këto ishin vrasje makabre, të kryera nga një dorë e zezë kriminale shqipfolëse, si pjesë e një zinxhiri eliminimesh të figurave më të rëndësishme nacionaliste shqiptare”, thekson ai.
“Qendrat komanduese që jepnin urdhra rrufe ishin të lidhura me shërbimet famëkeqe sllavo-komuniste. Fatkeqësisht, bolshevikët dhe neobolshevikët shqiptarë i zbatuan këto urdhra me përpikëri”, shprehet ai.
Duke iu referuar atentatit të 17 janarit 2002, Tahiraj thotë se ajo ditë shënon një nga momentet më të errëta të Kosovës së pasluftës.
“Në Kosovën e lirë u vra komandant Smajl Hajdaraj, trim i Rugovës, njeri që e udhëhoqi luftën në vijë vertikale institucionale, nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova”, deklaron ai.
Ai e përshkruan Hajdarajn si një figurë që nuk u ndal asnjëherë së vepruari për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës.
“U mor jeta e një veprimtari, ushtari dhe komandanti trim, i cili ishte edhe deputet dhe simbol i përkushtimit institucional”, thotë Tahiraj.
Sipas tij, Hajdaraj ishte profesionist ushtarak i nivelit të lartë dhe respektues i institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Ai i zbatoi me përpikëri urdhrat e ministrit Ahmet Krasniqi dhe vijën politike të Presidentit Rugova, madje edhe me çmimin e jetës”, thekson Tahiraj.
Tahiraj pohon se kjo përkushtim ishte kërcënim për strukturat neobolshevike.
“Ata e kërcënuan hapur, duke i thënë se ‘do të luftojmë me ty si me shkja’, njëjtë si me Tahir Zemajn. Ata e luftuan më shumë se armikun, sepse nuk kishin guxim të përballeshin ballë për ballë”, shprehet ai.
“Trimat e vërtetë, si Smajl Hajdaraj, luftojnë përballë armikut dhe nuk qëllojnë kurrë vëllezërit e tyre. Ai nuk pati plumba për shqiptarët, sepse i konsideronte vëllezër”, shton Tahiraj.
Duke folur për drejtësinë, Tahiraj shprehet se edhe pas 24 vjetësh, rasti i vrasjes së Hajdarajt mbetet pa epilog.
“Kriminelët urdhërdhënës dhe ekzekutorët shëtisin të lirë në Kosovë, Shqipëri dhe gjetiu. Drejtësia është e kapur dhe nuk ka vullnet për zbardhjen e këtyre krimeve”, deklaron ai.
Sipas Tahirajt, shpresa e fundit mbetet Gjykata Speciale.
“Nëse edhe kjo dështon, drejtësia do të mbetet një plagë e hapur për kombin shqiptar”, përfundon ai.



Të tjera
Manipulimi i madh i votave brenda partive, kërkohet aktivizimi i prokurorisë
Mikrobet e dheut hanë plastikë alternative
Familjet e prekura nga vërshimet në pritje të ndihmës nga komunat