Për herë të parë në historinë e Kosovës, qytetarët do t’i drejtohen kutive të votimit tri herë brenda vitit.
Fillimisht më 9 shkurt në zgjedhjet parlamentare, pastaj më 12 tetor në zgjedhjet lokale dhe tanimë me 28 dhjetor për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit janë si pasojë e mos formimit të qeverisë nga partia fituese e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.
Kandidati i saj për kryeministër, Albin Kurti dhe pastaj edhe kandidati i dytë, Glauk Konjufca, nuk arritën të marrin vota të mjaftueshme për formimin e qeverisë, kjo në pamundësi të një koalicioni qeverisës dhe hezitimin e opozitës për votë.
“Zgjedhjet lokale nuk kanë përfunduar akoma sa i përket procedurës së certifikimit. Para fillimit të fushatës janë një sërë veprimesh, që janë regjistrimi i subjekteve dhe koalicioneve, certifikimi i kandidatëve, hedhja e shortit e veprime të tjera. Për më tepër, duhen së paku dy javë kohë për të mundësuar votimin jashtë vendit dhe sipas ligjit, shtetasve që jetojnë jashtë vendit duhet dhënë së paku 15 ditë afat me qëllim të aplikimit dhe regjistrimit për të votuar”, tha Osmani.
“Në mesin e këtyre janë edhe procedura tenderuese e çka jo tjetër. Pra, të gjitha këto e bëjnë praktikisht të pamundshme edhe datën 21 dhjetor, rrjedhimisht data 28 dhjetor është data që kam vlerësuar se mbetet data e vetme e mundshme, sado që edhe kjo datë paraqet deri diku sfida për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve”, shtoi Osmani teksa arsyetoi vendimin e saj për datën 28 dhjetor.
Osmani tha se si presidente e Kosovës e ka për detyrë “të jap afatin më të gjatë e jo më të shkurtër që të eliminojmë disa nga sfidat e organizimit të shpejtë të zgjedhjeve”.
Gjersa, presidentja e konsideron “fat të keq”, politologu Ramadan Gjanaj konsideron se populli është lodhur.
Sipas tij, nëse pas 28 dhjetorit ka sërish bllokim, atëherë në prill 2026 do të shpërthejë gjithçka përsëri.
“Rezultatet mund të jenë numerikisht të ngjashme, por sigurisht që legjitimiteti do të jetë më i ulët. Nëse del sërish LVV-ja 42-45 %, PDK 22-24 %, LDK 18-20 %, por me pjesëmarrje 38-40 %, atëherë askush nuk do të ketë mandat të fortë popullor. Fituesi real do të jetë abstenimi – 60 % e trupit zgjedhor që do të thotë “nuk ju besoj më askujt”. Dhe rreziku është i madh: edhe pas 28 dhjetorit mund të kemi bllokim të ri. Nëse LVV-ja insiston sërish “ne ose askush”, ose nëse opozita nuk arrin të bashkohet, qeveria e re mund të zgjasë vetëm deri në prill 2026, kur zgjidhet presidenti/ia. Atëherë koalicioni prishet, Kuvendi shpërndahet sërish, dhe jemi në zgjedhje të katërta. Ky është skenari më i keq, por më realist nëse partitë nuk ndryshojnë sjellje”, shprehet politologu.
Pas 28 dhjetorit, sipas Gjanajt, janë dy rrugë kryesore dhe të dyja të brishta.

Pas shpalljes së datës për zgjedhje të reja, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të nesërmen ka mbajtur mbledhje për të folur rreth tyre.
Anëtari i KQZ-së, Arianit Elshani, ka bërë të ditur se fushata zgjedhore për subjektet politike do të jetë vetëm 12 ditë, nga 17 dhjetori, deri më 28 dhjetor.
Ai bëri të ditura edhe periudhat e certifikimeve të partive politike nga ana e KQZ-së.
“Periudha për certifikimin e partive politike do të jetë nga data 24 nëntor deri më 30 nëntor. Ky proces është ndryshe nga proceset e tjera, është i ndarë në dy faza. Bëhet fjalë për certifikimin e subjekteve politike dhe certifikimin e listave të kandidatëve të partive politike”.
“Lista e kandidatëve të partive politike, realizohet nga 24 nëntor deri më 7 dhjetor. Pra 7 dhjetori është data e fundit ku partitë politike mund të dorëzojnë listën e kandidatëve në KQZ”, tha Elshani.
Tërheqja e shortit nga ana tjetër, do të bëhet më 8 dhjetor.
Derisa sipas Elshanit, periudha e aplikimit për votuesit jashtë Kosovës fillon më 26 nëntor, dhe mbaron me datën 6 dhjetor. Ndryshe, periudha e votimit me postë nis më 12 dhjetor dhe përfundon më 27 dhjetor.
Skenarët pas 28 dhjetorit
Kurse, avokati Gazmend Halilaj, thotë se zgjedhjet e reja ishin zgjidhja më e mirë.
Sipas tij, ky cikël i shpeshtë zgjedhor ka një mesazh të fortë.
“Zhvillimi i zgjedhjeve të treta brenda vitit “Fakti që qytetarët e Kosovës do të votojnë për herë të tretë brenda një viti është një moment unik në historinë tonë demokratike, por edhe një pasqyrë e qartë e krizës së përgjegjësisë politike që ka karakterizuar partitë opozitare. Shpërbërja e Kuvendit dhe caktimi i 28 dhjetorit nga presidentja Osmani tregon se vendi hyn në zgjedhje jo sepse kjo ishte zgjidhja më e mirë, por sepse një pjesë e skenës politike refuzoi dialogun dhe konsensusin. Ky cikël i shpeshtë zgjedhor ka një mesazh të fortë: qytetarët do ta kenë edhe një herë në dorë mundësinë t’i japin stabilitet vendit, përmes një mandati të qartë, të pastër dhe të pakontestueshëm”, deklaron Halilaj.

Ai e sheh Lëvizjen Vetëvendosje më të fortë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e konsideruar subjekt të vetëm me ofertë të konsoliduar dhe me qëndrime të pandryshuara.
“Mosarritja e konsensusit mes partive e riktheu vendin në zgjedhje, por nuk e ndryshoi pritshmërinë kryesore: qytetarët kërkojnë qeverisje të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe të pa kapur nga interesat e ngushta partiake. Rezultati i 9 shkurtit mund të përsëritet, por dinamika e re politike – e shkaktuar kryesisht nga manovrat e opozitës – mund ta forcojë edhe më shumë besimin te Vetëvendosje. Në situata si kjo, elektorati shpesh reagon duke kërkuar qartësi dhe stabilitet, dhe kjo është arsyeja pse besoj se LVV mund të dalë edhe më e fortë, sepse mbetet subjekti i vetëm me ofertë të konsoliduar dhe me qëndrime të pandryshuara”, shprehet avokati.
Ai jep matematika zgjedhore dhe skenarët pas 28 dhjetorit, gjersa kombinim më i mundshëm pas 28 dhjetorit është një qeveri e udhëhequr nga Vetëvendosje.
“Matematika zgjedhore dhe skenarët pas 28 dhjetorit “Ambicia e Vetëvendosjes për të marrë mbi 50 për qind është një objektiv politik legjitim, i bazuar në realitetin elektoral dhe në mbështetjen e gjerë që subjekti ka në gjithë vendin. Nga ana tjetër, partitë tjera po hyjnë në proces pa qartësi: PDK ende përpiqet të rimodelojë programin, LDK po shihet në lëvizje drejt koalicioneve të mundshme që duken më shumë taktike sesa parimore, ndërsa AAK rrezikon seriozisht pragun për shkak të tkurrjes së vazhdueshme të bazës votuese. Në këto rrethana, kombinimi më i mundshëm pas 28 dhjetorit është një qeveri e udhëhequr qartë nga Vetëvendosje, me mandat të fuqishëm që do t’i japë fund paqartësive politike, duke krijuar kushtet për reformë të thellë, drejtësi dhe zhvillim. Sa më e fortë të jetë LVV, aq më i qëndrueshëm do të jetë vendi.”, përfundon Halilaj.



Të tjera
Si të ndaloni së ngrëni thonjtë
Katër mënyra për ta kuruar shpejt mykun e gojës
Kosova e sheh Finlandën si shembull dhe model