28 vjet i zhdukur, rivarrozet dëshmori Agron Gjocaj

28 vjet i zhdukur, rivarrozet dëshmori Agron Gjocaj

Pas 28 vjetësh i zhdukur, dëshmori Agron Gjocaj është rivarrosur me nderime të larta ushtarake në fshatin Baballoq të Deçanit.

Në ceremoninë solemne, flamuri kombëtar kuq e zi iu dorëzua familjes së dëshmorit, si simbol nderimi dhe mirënjohjeje për sakrificën e tij për lirinë e vendit, raporton KosovaPress.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, si dhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, përfaqësues institucionalë, bashkëluftëtarë, familjarë dhe qytetarë të shumtë.

Ish-kryeministri Haradinaj ndau një mirënjohje për familjen Gjocaj, të cilën ia dedikoi në shenjë respekti dhe vlerësimi për sakrificën e dëshmorit Agron Gjocaj.

Ai theksoi se kujtimi dhe vepra e dëshmorëve mbeten themel i lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Agron (Sadri) Gjocaj ra dëshmorë më 18 gusht 1998. Eshtrat e tij u gjetën pas 28 vjetësh.