Në 36-vjetorin e rënies heroike të Afrim Zhitisë dhe Fahri Fazliut, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, dhe ministren në detyrë të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, bënë sot homazhe në nderim të tyre.
Kurti tha se më 2 nëntor 1989, Zhiti dhe Fazliu ranë heroikisht pas një beteje gjashtëorëshe me forcat jugosllave, duke zgjuar ndërgjegjen kombëtare dhe dëshmuar se populli i Kosovës nuk do të nënshtrohej.
Ai theksoi se jeta dhe vepra e tyre duhet të studiohen më shumë nga historianët.
“Të dy këta ranë duke u ballafaquar me regjimin e atëhershme, por pas rënies së tyre u zgjuam dhe u inspiruam me mijëra të tjerë e që besoj që u kurorëzua me themelimin e UÇK-së. 36 vite më vonë jemi për të kujtuar jetën dhe veprën e tyre prandaj lavdi jetës dhe veprës së tyre dhe gjithë dëshmorëve të tjerë”.
Ndërkaq, ministrja Gërvalla u shpreh se duke nderuar Zhitinë dhe Fazliun, nderohen të gjithë ata që me idealin e lirisë i paraprinë shtetit të pavarur të Kosovës, duke theksuar se kjo liri duhet ruajtur e forcuar çdo ditë.
“Duke nderuar sot Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun nderojmë të gjithë ata breza të tërë të cilët me idealin e lirisë paralajmëruan atë që do të vinte, që brezi ynë është i pari që e shijon lirinë dhe shtetin e Kosovës. Mesazhi i ditës së sotme dhe ditëve të tjera është se këtë liri duhet ta dimë ta mbrojmë, ta duam dhe ta ndërtojmë të fortë shoqërinë tonë si borxh të pashlyer ndaj atyre që u sakrifikuan për këtë vend”, theksoi Gërvalla.



Të tjera
Trumpi në tërheqje të shortit për Botërorin 2026, ShBA-ja, Kanadaja e Meksika i mësojnë grupet
Osmani bisedon me Guerot për marrjen e detyrave nga kryetarët e rinj në Veri, i kërkon heqjen e masave ndaj Kosovës
5 gjërat që janë edhe më të rrezikshme sesa pirja e duhanit