48-vjeçarja nga Korça ndërron jetë në banesë, djali i saj akuzon mjekët për neglizhencë

48-vjeçarja nga Korça ndërron jetë në banesë, djali i saj akuzon mjekët për neglizhencë

Gentiana Nano u dërgua në urgjencën e spitalit të Korçës dy ditë më pare pasi kishte shfaqur probleme në frymëmarrje, ndërsa është trajtuar në shërbimin e urgjencës dhe është dërguar më pas në shtëpi.

Ditën e nesërme, përsëri nuk është ndjerë mirë dhe familjarët kanë njoftuar ambulancën dhe mjeku i ka bërë injeksione pasi viktima kishte rrahje të rritura të zemrës dhe tension të ulët.

Mëngjesin e sotëm, mësohet se 48-vjeçarja sërish nuk është ndjerë mirë dhe ka qenë djali dhe babai i saj që e kanë gjetur të pajetë në dhomë. Djali i saj Erdiol Nano ka hedhur akuza për mjekët e spitalit të Korçës duke thënë se këta të fundit nuk kanë treguar kujdesin e nevojshëm për nënën e tij, shkruan Euronews.al.

Policia e Korçës po merr deklarimet e familjarëve për rastin ndërsa pritet që të merren në pyetje edhe stafi mjekësor që kanë qenë në shërbim përgjatë këtyre dy ditëve. Nga ana tjetër, trupi i 48-vjeçares do t’i nënshtrohet autopsisë për të përcaktuar shkakun e vdekjes.