Covey ‘përplaset’ me emra të luftës: Daut Haradinaj dhe Sami Lushtaku në qendër të dëshmisë – Miftari ‘zbulon’ prapaskenat: Ja çfarë ka bërë Thaçi

Ka përfunduar sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmia e Jock Covey, i cili ka shërbyer në Kosovë si zëvendës i përfaqësuesit special të sekretarit të OKB-së, Bernard Kushner.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, James Covey tregoi se sipas burimeve nga KFOR-i, kishte dëgjuar se pjesëtarët e mbrojtjes së Ibrahim Rugovës ishin vrarë dhe se për këtë sulm përgjegjës ishte Daut Haradinaj.

“Nga bisedat me Bernard Kouchner dhe nga ajo që kemi mësuar nga burimet e KFOR-it më vonë, ne e kuptuam që të gjithë truprojat e tij ishin vrarë pothuajse të gjithë. Nuk e di nëse kjo është fushë për të cilën mund të flas unë në mënyrën e duhur pasi unë nuk jam informuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. KFOR-i besonte që vëllai i Ramushit, Daut Haradinajn ishte përgjegjës për këtë sulm”, ka thënë Covey.

Dëshmitari deklaroi se në atë kohë nuk kishin dijeni për ngjarjet në fjalë dhe se për to kishin mësuar vetëm shumë më vonë.

“Megjithatë, më lejoni të shtoj se më 16 (qershor), nuk kishim dijeni se ku ndodhej zoti Rugova. Thjesht e dinim që ai nuk ishte i pranishëm dhe ndoshta nuk ndodhej fare në Kosovë”, tha dëshmitari.

Ai theksoi se në ditët që pasuan, LDK-ja dukej pa udhëheqje dhe e përçarë, e paaftë për të arritur një konsensus që do t’i mundësonte të merrte pjesë në Komitetin Tranzitor.

Sipas Covey, LDK-ja kishte marrë pjesë në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, ndonëse këtë organ ai e quajti si “të fantazisë”, pasi nuk kishte funksione ekzekutive dhe nuk ishte funksionalizuar realisht.

Sipas dëshmisë, Rugova kishte frikë për sigurinë personale, dhe Kouchner kishte bërë përpjekje ta bindte se, nëse do të kthehej, do të kishte mbrojtje të sigurt. Sidoqoftë, Covey shpjegoi se KFOR-i nuk mund të siguronte mbrojtje personale për Rugovën, por vetëm mbikëqyrje dhe siguri të përgjithshme në zonën ku do të qëndronte.

Rugova, sipas dëshmitarit, u kthye në Kosovë pas këtyre garancive, pavarësisht nëse ai vetë e kishte kuptuar ose jo në këtë mënyrë.

Në fund të dëshmisë, Covey u pyet konkretisht nga çfarë kishte frikë Ibrahim Rugova, bazuar në bisedat me Bernard Kouchner. Si përgjigje, dëshmitari përmendi një sulm të pretenduar nga Daut Haradinaj si një nga arsyet që kishte ndikuar në frikën e Rugovës për t’u kthyer në Kosovë.

Covey në Hagë është pyetur edhe për Sami Lushtakun, kjo duke iu prezantua një pjesë e librit të tij në të cilin kishte thënë se Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK. Ai kishte thënë se besohej që Lushtaku ishte përgjegjës jo vetëm për terrorizimin e serbëve por edhe për vrasje të shqiparëve që besohej se kishin bashkëpunuar me serbët.

“Sami Lushtaku ka pasur pozicion drejtues në UÇK gjatë konfliktit dhe më pas u njoh si Lord lufte virtuale. Sami Lushtaku besohej që ishte personi përgjegjës jo vetëm për të terrorizuar serbët por që ka vrarë edhe shqiptarë që besohej se kishin bashkëpunuar me regjimin serb përpara konfliktit”, lexoi prokurorja Vega Iodice nga libri i dëshmitarit.

prokurorja ka përmendur se dëshmitari Covey kishte folur për një rast të mundshëm arrestimi të Sami Lushtakut, duke theksuar se “Policia po synonte ta prangoste Lushtakun, por me shumë gjasë nuk do të kishte dëshmitarë për këtë.”

Dëshmitari ka shpjeguar se në atë kohë ishte arritur një dakordim me KFOR-in për të mos e proceduar më tej këtë çështje, pasi kërkoheshin prova të forta për ngritjen e akuzave. Po ashtu, kërkohej një prani e strukturuar civile, ushtarake dhe policore në zonën ku ndodhej Lushtaku, për të garantuar rend dhe siguri gjatë një operacioni të tillë.

“Po, fjalët e mia janë, por unë do të doja ta shtjelloja më tej këtë”, tha Covey gjatë dëshmisë.

Sipas dëshmisë së tij dhe asaj që thuhet në librin që ka shkruar, Sami Lushtaku përshkruhej si një person i rëndësishëm, me reputacion si komandant i Zonës së Drenicës dhe një figurë me ndikim të madh lokal. Covey tha se arrestimi i tij mund të shkaktonte trazira serioze që do të kërkonin ndërhyrjen e KFOR-it.

Ai shtoi se vendimi nuk kishte qenë për mosarrestim, por që arrestimi të bëhej vetëm nëse ekzistonin prova të mjaftueshme dhe resurse të nevojshme për të përfunduar çështjen në mënyrë të shpejtë dhe efikase.

“Sami Lushtaku njihej si komandant i Zonës në Drenicë dhe kishte reputacionin e një rrugaçi… Vendimi për ta arrestuar atë do të merrej kur të kishte prova të mjaftueshme për të përgatitur akuza dhe për të zgjidhur çështje gjyqësore sa më shpejt. Pra, nuk do të ishte e saktë të thuhet që vendimi ishte që të mos arrestohet ai. Vendimi ishte që përpara se ta arrestoni – siguroni që i keni të gjitha provat dhe burimet e duhura,” – theksoi Covey.

Më tej, ai shpjegoi se Lushtaku kishte mbështetje të gjerë në zonën e tij, gjë që përbënte sfidë shtesë për autoritetet.

“Ai ishte shumë popullor dhe kishte shumë mbështetje në zonën e tij, dhe e dinim këtë. Rrugaçët janë të njohur dhe kanë mbështetje. Pra, vendimi ishte që mund ta ndaloni atë në qoftë se i keni elementet dhe provat e mjaftueshme për ta zgjidhur sa më shpejt,” – deklaroi ai.

Covey gjithashtu sqaroi se ky vendim nuk ishte marrë në konsultim me KFOR-in dhe se Bernard Kouchner nuk kishte qenë i përfshirë në këtë proces. Vetëm pasi ishte marrë vendimi, KFOR-i ishte informuar për situatën.

Rreth dëshmisë së Coevy ka folur ish- agjenti i SHIK-ut dhe ish- eprori i UÇK-së, Naim Miftari, i cili thotë se Thaçi i ka gënjyer amerikanët.

Sipas tij, dëshmitarët e Thaçit po thonë atë që ka përgatitur ai.

“Kur Hashim Thaçi kishte përkrahur Gjykatën Speciale, kishte menduar se ardhja e saj me ndihmën e disa miqve të tij ndërkombëtarë, që kishte arritur t’i korruptonte gjatë viteve sa ishte vetë kryeministër dhe kryetar i shtetit të Kosovës, do të bënte që në burgun e Hagës të përfundonin vëllezërit Haradinaj, Sabit Geci, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, vëllezërit Jashari, Rexhep Selimi, Azem Syla, Remi, Lati Gashi dhe ndonjë komandant i zonave operative ose ndonjë komandant brigade. Prandaj kishte punuar ditë e natë që të formohej e të votohej Gjykata Speciale. Por kur një zyrtar i huaj e kishte paralajmëruar se do të burgosej vetë, gjërat kishin ndryshuar. Kishte dashur natën, në Parlament, ta zhdukte Gjykatën Speciale, duke i gënjyer edhe LVV-në se amerikanët po ia kërkonin me e zhbë Gjykatën Speciale, por gënjeshtra nuk kishte kaluar”.

“Pastaj Hashim Thaçi i kishte shkruar një letër të gjatë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, ku ia kishte shpjeguar pse donte ta zhdukte Gjykatën Speciale, por Sekretari Amerikan i ishte përgjigjur ashpër se nuk zhbehet Gjykata Speciale dhe nëse je i pafajshëm, shko dhe dëshmoje veten si i pafajshëm. Ndërsa sot, dëshmitarët ndërkombëtarë të Hashim Thaçit po thonë atë që e ka përgatitur Hashim Thaçi dhe e ka thënë në mënyrë të pandërprerë me kontakte me ndërkombëtarë që nga viti 1999–2019… se vetëm Hashim Thaçi mund të sjellë paqe dhe t’i ndalonte problemet ndëretnike me serbët, kurse ish-shokët e UÇK-së, shokët e vet, i cilësonte si njerëz të egër, si rrugaçë, si njerëz pa kulturë e deri te vrasës mizorë të ftohtë”, deklaron Miftari.

Image

Naim Miftari

Sipas tij, Thaçit i intereson vetëm pafajësia e tij dhe po i ikë përgjegjësive të tij gjatë luftës.

“Dëshmitarët janë paguar me miliona euro e dollarë të dëshmojnë për “pafajësinë” e Hashim Thaçit, të cilit vetëm pafajësia dhe lirimi i vet po i intereson. Kur u burgos e shkoi në Hagë, deklaroi se po shkon atje ta mbrojë UÇK-në, a në fakt që nga fillimi po e mbron Hashim Thaçin nga vetë UÇK-ja, duke iu ikur përgjegjësive të tij gjatë luftës. Kur ishte në Kosovë deklaronte e mburrej si bibani se ishte bashkëluftëtar i Adem Jasharit, se ishte themelues i UÇK-së, se ka luftuar me pushkë në dorë, se kishte marrë pjesë në aksion nga dita e parë e UÇK-së… por kur shkoi atje, e paraqiti se gjatë luftës ai kishte qenë vetëm turist i luftës, edhe pse ishte përkrahës i luftës, ishte profiteri më i madh i luftës, i fondeve të luftës dhe pas luftës, i korrupsionit. UÇK-ja pa Hashim, Kadrin… në rrethana lufte është ushtria më e disiplinuar në botë gjatë një lufte çlirimtare, ku pjesëtarët janë vullnetarë. S’ka gjykatë në botë që mund ta dënojë e ta njollosë luftën e drejtë të UÇK-së. Unë si luftëtar dhe ish-epror i lartë i UÇK-së – TMK-së e kam cekur që dy dekada publikisht, edhe me takime me ndërkombëtarë por edhe në GJSH në Hagë, se gjatë luftës tonë të drejtë kemi edhe gabime minimale, gabime rastësore, por edhe gabime e krime të pakta por të qëllimshme individuale, ku X personi ka keqpërdorur uniformën, armën dhe luftën për qëllimet individuale ose klanore. Por nuk kemi deformim të UÇK-së as të luftës së saj të shenjtë për çlirim. UÇK-ja nuk kishte kryer krime as hakmarrje ndaj serbëve në Kosovë”, përfundon Miftari.