E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vafije Krasniqi-Goodman, ka kujtuar sot momentin kur, shtatë vite më parë, vendosi të dalë publikisht dhe të tregojë përjetimin e saj.
Në një postim në Facebook, ajo ka treguar se ky ka qenë “hapi më i vështirë i jetës”, për shkak të paragjykimeve shoqërore që ekzistonin ndaj grave që kishin përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës.
“Sot bëhen shtatë vite prej se mora hapin më të vështirë të jetës sime: vendimin për të dalë publikisht dhe për të folur për atë që më ndodhi gjatë luftës, për dhunën seksuale që e kam përjetuar si shumë gra të tjera në Kosovë.
“Qëllimi im nuk ishte vetëm ta shëroja plagën time, por të bëja një thirrje për drejtësi dhe vetëdijësim. Sot, shtatë vite më vonë, jam krenare që zëri im ka arritur të prekë mijëra zemra e të ndikojë në ndryshimin e qëndrimeve rreth një teme kaq të rëndë dhe tabu.
Jam thellësisht falënderuese për përkrahjen e jashtëzakonshme që më ka dhënë populli ynë, çdo fjalë e mirë, çdo përqafim, çdo zë që është bashkuar me timin ka bërë që kjo barrë të jetë më e lehtë për t’u mbajtur.
Ky rrugëtim është ende i gjatë, por bashkë mund ta thyejmë heshtjen, të kërkojmë drejtësi dhe të ndërtojmë një shoqëri që nuk hesht më përballë padrejtësive. Faleminderit që jeni me mua”, shkroi Krasniqi Goodman.
Të tjera
Gënjeshtrat që gratë e martuara ua thonë burrave
5 shenjat e horoskopit me karakter të fortë
Mungesa adekuate e gjumit sjell e rritë rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe diabetit