Rashiq: 95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe

95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq deklaroi se 95 për qind e serbëve të Kosovës nuk përfaqësohen nga Lista Serbe. Ai tha se deputetët e kësaj partie janë shumicë por që përdorin metoda e forcë brutale ndaj popullit të vet.

Kështu u shpreh ai pas ndërprerjes së seancës, ku paraprakisht përmes votimit me short nuk arriti të marrë serish votat e mjaftueshme për zgjedhjen e nënkryetarit, raporton KosovaPress.

Rashiq tha se edhe dje, por edhe sot ka biseduar me shumë deputetë, por që siç u shpreh ai, brengë e kanë se votimi është kundër kushtetues.

 

Ai tha se do të vazhdojë të bisedojë me kolegë të partive të tjera, por që nuk përmendi emrat e deputetëve.

Kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq nuk mori votat e mjaftueshme për tu zgjedhur nënkryetar i kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Kryeparlamentari Dimal Basha tha se diskutimet do të vazhdojnë mes grupeve parlamentare, teksa e ka ndërprerë seancën konstituive.

 

Në seancën e sotme janë hedhur në votim sipas shortit disa herë deputetët e Listës Serbe, por që nuk kanë marrë votat për t’u zgjedhur nënkryetar.

Të martën ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga komuniteti serb. Votimi është ndërprerë pasi as atë ditë nuk mori votat as deputeti Nenaq Rashiq, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.