Ish-i burgosuri politik Haki Morina ka rrëfyer për momentin e arrestimit nga shqiptarët Sigurimit Shtetëror të Jugosllavisë, të njohur si UDB.
Morina, i cili kishte nisur veprimtarinë anti-jugosllave në fillim të viteve ’80, përshkroi se si ka pasur kontakt të parë me Azem Sylën, dhe se si ky kontakt i kishte ndihmuar të fillonte rekrutimin dhe analizën e mundësive për të kundërshtuar pushtetin jugosllav.
“Ky kontakt ka ardhur si rezultat i bindjeve të mia të mëhershme politike të cilat kanë një origjinë të hershme qysh nga fëmijëria”, ka thënë Morina.
Morina e theksoi se qëllimi i tyre ishte bashkimi kombëtar i shqiptarëve, duke theksuar se shqiptarët e Kosovës nuk gëzonin të drejtat e tjera si popujt e tjerë të Jugosllavisë.
Ai rrëfeu momentet e arrestimit të tij më 3 prill 1981, duke përshkruar se si ishte zgjuar në shtëpi dhe kishte hasur në gryken e automatit të një polici, Ali Godanci, dhe tre pjesëtarëve të UDB-së, përfshirë Ajet Gashin, Ibush Gashin dhe një tjetër me emrin Millaku.
“Isha në shtëpi, në odën time dhe isha në gjumë… po më prek dikush dhe sa po i hapa sytë po e shoh gryken e automatit[kallashnikovit] …tek koka. Ishte një polic, quhej Ali Godanci nga fshati Gremnik i komunës së Klinës, atëherë ishte njëfarë përgjegjësi, nuk e di çfarë roli kishte por mbahej sikur shef… me sa e di unë ka qenë pjesëtarë rezervë dhe për shkak të arrestimeve të shumta atëherë u angazhuan edhe disa kuadro jashtë organizimit të UDB-së për ti ndihmuar ata në veprimtarinë e tyre zbuluese…”, ka shtuar Morina.
Morina shtoi se, pas hyrjes në makinë dhe disa pyetjeve, UDB-ashët e kishin kritikuar për qetësinë dhe saktësinë e përgjigjeve të tij. Ai e përshkroi përvojën e tij në stacionin policor në Klinë, ku ishte vendosur në një “biruc” shumë të vogël dhe të papastër, teksa ka përshkruar kushtet e tmerrshme që kishte përjetuar gjatë arrestimit dhe mbajtjes në këtë vend.
“… Një biruc 1 metër e gjysmë me një metër e gjysmë, që s’ma nxite trupin për tu shtrirë…ishte i lagur me urinime…era ishte e rëndë pranë vetës. Ishte errësirë e plotë, nuk e ndiznin dritën… aty e kam vrejt vlerën e orës së kohës…”, ka thënë ai ndër të tjera.



Të tjera
Mësoni se si t’i largoni papastërtitë nga lavatriçja
Shtatë shenja që ju keni një inteligjencë mbi mesataren
Ushqimet që zvogëlojnë dëshirën për ëmbëlsira