Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar një aktgjykim, ku ka konkluduar se aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesave.
Bëhet fjalë për aktgjykimin e parashtruar nga Dino’s Las Vegas sh.p.k dhe Matrix sh.p.k, përmes së cilit është kërkuar vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 3 majit 2023.
Në vlerësimin e thelbit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesave, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut përkitazi me të drejtën për qasje në gjykatë, dhe më pas i aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.
“Sipas sqarimeve të dhëna në aktgjykim, Gjykata theksoi se gjykata e rregullt është e detyruar të përcaktojë vlerën monetare të objektit të kontestit, sipas kritereve objektive, bazuar në të dhënat e kërkesëpadisë, duke vlerësuar nëse vlera e objektit të kontestit është shënuar në kërkesëpadi dhe nëse ajo është shënuar tepër e lartë apo shumë e ulët. Gjykata tutje vlerësoi se, ky verifikim zbatohet deri në kufirin e probabilitetit të pranueshëm, sepse çdo shqyrtim më i thellë i problemit, përkatësisht kërkesëpadisë, do të rrezikonte realizimin e detyrës themelore të gjykatës, që është sigurimi i mbrojtjes juridike. Për më tepër, Gjykata vlerësoi se pagesa e taksës gjyqësore në shumën prej njëzetë e pesë (25) euro, nuk mund të shërbente si parametër i vetëm për caktimin e vlerës së objektit të kontestit në fjalë, nga shkaku se paditësi kishte paguar taksën në fjalë, si kushtëzim i cili ia mundëson palës paditëse që kërkesëpadia e tij/saj të pranohet nga gjykata në kuptimin procedural dhe jo të hidhet poshtë si një kërkesëpadi e paplotë para fillimit të gjykimit të thelbit të çështjes. Gjykata në lidhje me këtë çështje vlerësoi se referimi i Gjykatës Supreme në dispozitën e nenit 508 të Ligjit për Procedurën Kontestimore dhe dhënia e arsyetimit pa shqyrtimin paraprak të lëshimit të mundshëm procedural, duke e kaluar përgjegjësinë vetëm mbi parashtruesit e kërkesës dhe jo ndaj instancave që kanë lëshuar këto gabime procedurale, përbënte “formalizëm të tepruar” në interpretimin e rregulloreve ligjore, sidomos për arsye se Gjykata Supreme në vlerësimin e lejueshmërisë nuk mori parasysh dispozitat ligjore të nenit 36 të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Në këto rrethana, Gjykata arriti në përfundimin se vendimmarrja e Gjykatës Supreme në rrethanat e rastit konkret përbënte pengesë joproporcionale e cila kishte cenuar vetë thelbin e të drejtës së parashtruesve të kërkesave, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të KEDNJ-së, dhe se e njëjta ka tejkaluar lirinë e vlerësimit. Për pasojë dhe ashtu siç është theksuar në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata, duke u bazuar në analizën e mësipërme konkludoi se Aktvendimi i kontestuar i Gjykatës Supreme [E. Rev. nr. 5/2022] i 3 majit 2023, është nxjerrë në shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesve të kërkesave, të garantuara me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së”, thuhet në njofitm.
Të tjera
Policia sekuestron armë e drogë në disa komuna të Kosovës, ka të arrestuar
Vendet që mbesin sot pa rrymë
Demokratët Evropianë kritikojnë Von der Leyen për heshtjen ndaj Serbisë