Pamjet: Arrestohen disa aktivistë të grupit “Asnjë cent më shumë” para zyrës së ZRRE-së

Arrestime në protestën kundër shtrenjtimit të rrymës në Kosovë

Një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike në Kosovë, para Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila pritet të vendosë rreth një propozimi për ngritjen e çmimit të rrymës në vend, ka përfunduar me arrestimin e disa personave në mëngjesin e së mërkurës.

Aktivistë kundër shtrenjtimit të rrymës bllokuan zyrat e ZRRE-së në lagjen Lakrishte, në Prishtinë, para se të prangoseshin nga Policia e Kosovës.

Arsyeja e arrestimit të tyre nuk është bërë e ditur, dhe as numri i personave të arrestuar. Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Policinë e Kosovës, por nga ky institucion nuk kanë dhënë hollësi për këtë ngjarje.

Arrestimi i një personi pas protestës te zyrat e ZRRE-së.

“ZRRE-ja është në bllokadë. Bllokimi do të vazhdojë deri në zotimin publik nga ZRRE se nuk do ta miratojë rritjen e çmimit të rrymës për 15%. Vetëm atëherë mund t’i kthehen punës”, u tha në një postim të faqes “KEDS t’i kthehet Kosovës”, para arrestimeve.

ZRRE-ja paralajmëroi se, nga muaji prill, faturat e energjisë elektrike mund të rriten për 15 për qind.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

Vendimi për shtrenjtimin ose jo të rrymës këtë vit pritet të merret më 11 prill, ndërsa tarifat e reja është thënë se do të mund të hynin në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli, ose nga 1 maji.

Sipas ZRRE-së, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.

Shtrenjtimi i mundshëm i rrymës me “domino efekt” në ekonomi

Kosova nuk mund ta sigurojë energjinë e nevojshme për mbi 1.6 milion banorët e saj vetëm me prodhimin nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).

Një nga arsyet është vjetërsia me dekada e termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”.

Prodhim ka edhe përmes burimeve të ripërtërishme, por në sasi më të vogla.

Prodhimi i pamjaftueshëm bën që një pjesë e konsiderueshme e furnizimit të sigurohet përmes importeve, që janë të shtrenjta.

Aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” bllokojnë derën e objektit të ZRRE-së

Aktivistët e grupit “Asnjë cent më shumë” kanë bllokuar derën e objektit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ata nuk po i lënë punëtorët që të hyjnë brenda, derisa “ZRRE-ja të merr vendimin për mos rritjen e çmimit të energjisë për 15 për qind”.

Aktivisti i grupit “asnjë cent me shumë”, Auron Doli tha se nuk do të largohen nga objekti.

Doli: Kemi vendosur të bllokojmë ZRRE-në

“Sot kemi vendosur me e blloku ZRRE-në, për shkak të propozimit me e rritë çmimin e energjisë elektrike për 15 për qind. ZRRE-ja do të mbes në bllokadë, përderisa anëtarët e bordit të saj nuk zotohen që me anulu këtë propozimvendim”, tha ai.

“Asnji Cent Ma Shumë” sot aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë kundër shtrenjtimit të rrymës

Grupi “Asnji Cent Ma Shumë” do të organizojë sot një aksion simbolik para Ministrisë së Ekonomisë, kundër shtrenjtimit të rrymës.

Aksioni do të mbahet me fillim nga ora 07:30.

“Ju njoftojme se neser me date 2 Prill (e merkure), me fillim nga ora 7:30 e mengjesit, grupi i aktivisteve te grupit “Asnji Cent Ma Shume” organizon aksion simbolik para para Ministrise se Ekonomise (ne shesh).Ju ftojme te na bashkoheni!”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, rryma në Kosovë mund të shtrenjtohet për 15 për qind.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat. Në rast të shtrenjtimit për 15%, ata do të paguanin 8.96 centë.

ZRRE-ja i shqyrton dhe cakton tarifat e energjisë elektrike çdo vit dhe ato janë në fuqi nga 1 prilli deri më 31 mars të vitit pasues.

Sipas këtij institucioni, rritja e tarifave këtë vit është e domosdoshme, për shkak të uljes së prodhimit të energjisë, rritjes së konsumit dhe varësisë së madhe nga importet me çmime të larta.