Sa kushton mirëmbajtja e një Mercedes-AMG One?

Mercedes-AMG One u desh shumë kohë për t’u zhvilluar dhe rezultati është, siç pritej, spektakolar. Ky bolid hibrid është i pajisur me një mori teknologjish nga Formula 1, është një bishë e rrallë, ndaj edhe çmimi prej 2.27 milionë eurosh është i justifikuar. Teknologjia, fuqia dhe ekskluziviteti nuk kanë qenë kurrë të lira. Natyrisht, në këtë çmim nuk është përfshirë tatimi.

Automobili, i cili falë katër motorëve elektrikë zhvillon 1063 kuaj/fuqi, kërkon edhe mirëmbajtje. Ai është një eksponat i vërtetë i teknologjisë moderne dhe spektakolare, ndërsa baza e tij është një motor benzine V6. Gjermani Michael Spegel, në kanalin e tij në YouTube, Gercollector, ka publikuar kostot e mirëmbajtjes së këtij bolidi.

Të fillojmë nga fillimi. Pronarët e AMG One duhet të përgatiten për një shërbim vjetor. Mirëmbajtja e rregullt nga Mercedes-Benz kushton 42 mijë euro – çdo vit. Dy punonjës punojnë në AMG One për një javë. Gjatë këtij procesi, ndërrohen vaji i marsheve, vaji i motorit, lëngu i frenave dhe ai ftohës, si dhe bëhet mirëmbajtja e sistemit të fuqisë, filtrit të vajit, valvuleve, filtrit të ajrit dhe ftohësit.

Ndërrimi i paneleve të karrocerisë është gjithashtu i shtrenjtë. Një pjesë e re e pjesës së përparme kushton 85 mijë euro, nga të cilat 48 mijë euro janë për pjesën e poshtme (përfshirë elementët prej karboni dhe hapjet e ajrit) dhe 37 mijë euro për kapakun e motorit. Për një difuzor të ri të pasmë, duhet të paguani 53 mijë euro.