Këtë të premte janë nënshkruar edhe deputetët nga PDK dhe LDK-ja që kanë fituar mandatin nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Të dyjat thanë që nuk kanë vota për kryetarin e Kuvendit të propozuar nga LVV-ja, ndërkaq as nuk kanë dakordim mes vete nëse Vetëvendosje dështon të formojë qeverinë.
Hap pas hapi, po përfundon çdo procedurë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Pas Lëvizjes Vetëvendosje një ditë më parë, këtë procedurë e ndoqën këtë të premte edhe PDK e LDK.
Memli Krasniqi, së bashku me 23 bashkë-partiakët, tha që zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk ka qenë kurrë problem dhe nuk beson të jetë as të martën e ardhshme.
“Nuk është nevoja me votu gjithsesi na, sepse Kuvendi nuk ka pas asnjëherë telashe me konstituim sa i përket kryetarit të Kuvendit, krejt çka na presim është me 15-tin me u propozu kryetari i Kuvendit, ne tjerët i propozojmë nënkryetarët dhe e konstituojmë Kuvendin”, ka thënë Krasniqi.
Në versionin nëse lideri i Vetëvendosjes dështon ta formojë qeverinë, atëherë bashkëpunimi me partitë tjera opozitare është i mundur, sipas Krasniqit, nëse kryeministër zgjidhet Bedri Hamza.
“Ne nuk i kemi 80 vota, ne i kemi 24 vota, këto vota do të jenë pjesë e një marrëveshjeje potenciale për qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga PDK-ja. Sa i përket zgjedhjes së presidentit, shohim kur i vjen radha”, ka thënë Krasniqi.
Ngjashëm sikurse Krasniqi, me bashkëpartiakë erdhi edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Me ta përsëri nuk ishte Avdullah Hoti, por kësaj radhe nuk dihet arsyeja.
Pas nënshkrimit, Abdixhiku foli rreth situatës me kryeparlamentarin.
“Një kryetar i Kuvendit që nuk i ka 61 vota për vete, nuk duhet të jetë kryetar i Kuvendit në radhë të parë fare. Pra, minimalisht duhet t’i ketë 61 vota e pastaj shihemi për gjëra tjera”, ka thënë Abdixhiku.
“E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të bëjë, të provojë të bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bën pas 15 ditëve, Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë – jep të drejtën secilës parti që dëshmon para presidencës që ka mund ta bëjë shumicën, të bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi mbërritur në atë pikë”, ka thënë Abdixhiku.
E deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje që dje mbetën pa u regjistruan, sot thanë se janë duke siguruar numrat e nevojshëm.
“Jemi duke punu në atë drejtim dhe me të 15 e shohim”, ka thënë Fitore Pacolli, deputete e zgjedhur e LVV-së.
“Me këdo që bohet, për mua është njësoj”, ka thënë Avni Dehari nga Vetëvendosja.



Të tjera
Ballkani në epërsi të dyfishtë ndaj Dritës
Studimet më të reja tregojnë përse nuk do të duhej të nxirrni dhëmballët
“Kemi shumë mall dhe krenari për ty”