Një takim të tillë e ka refuzuar kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke ia “vështirësuar” Kurtit mundësinë për formimin e qeverisë së re.
Dy ditë pas refuzimit të takimit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pasi u nënshkrua si deputet ka thënë se Kushtetuta e Kosovës mundëson që secila parti që dëshmon para presidentes, Vjosa Osmani, se mund ta bëjë shumicën në Kuvend, të mund të formojë Qeverinë e re të Kosovës.
Pas regjistrimit si deputet në legjislaturën e nëntë, Abdixhiku u pyet nga gazetarët nëse LDK-ja – që ka dalë e treta në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe ka fituar 20 ulëse në Kuvend – ka përafruar qëndrimet me partitë e tjera për formimin e institucioneve të reja.
Kreu i LDK-së u pyet nëse partia e tij do të votojë për kryetarin e Kuvendit – i cili duhet të propozohet nga LVV-ja e Kurtit – por, ai tha se cilido person që nuk i ka 61 vota për t’u zgjedhur kryetar, nuk duhet të bëhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Korab Blakaj, thotë se situata politike në Kosovë është një lojë e ndërlikuar nervash.
Sipas tij, thirrja e Kurtit për takim me Abdixhikun edhe pse u refuzua është një sinjal i qartë se VV po e teston terrenin për opsione të reja politike.
Deklarata e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) se kanë ende “numrat për ta mbajtur qeverinë dhe kontrollin e Kuvendit”, duhet parë më shumë si strategji për ruajtje të legjitimitetit politik, sesa si pasqyrim i një realiteti të qëndrueshëm aritmetik. Thirrja e Kurtit për takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku – edhe pse u refuzua – është një sinjal i qartë se VV po e teston terrenin për opsione të reja politike, përfshirë edhe bashkëqeverisjen. VV është në kërkim të stabilitetit afatgjatë institucional, sepse vetëm me një qeveri të qëndrueshme mund të përballet me presionet ndërkombëtare (si Asociacioni) dhe tensionet e sigurisë me Serbinë. Mungesa e një shumice të sigurt në Kuvend për votimin e ligjeve të rëndësishme (p.sh. buxhet, reforma zgjedhore, ose ligje për siguri) e bën bashkëpunimin të domosdoshëm. Zgjedhjet e parakohshme nuk janë të garantuara për askënd – prandaj është më logjike të kërkohen aleanca të brendshme sesa të shkohet në një aventurë zgjedhore të pasigurt”, shprehet Blakaj.
“Edhe pse Abdixhiku e refuzoi ftesën, refuzimi nuk duhet parë si fund i bisedës, por si pjesë e taktikës politike. LDK, si çdo parti opozitare në rritje, nuk ka interes të shihet si mbështetëse e një qeverie në vështirësi – por në të njëjtën kohë, nuk përjashton mundësinë e hyrjes në një koalicion, nëse i garantohet rol vendimmarrës dhe influencë reale”.
“Ka dy skenarë të mundshëm për një qeveri stabile në këtë fazë:
Skenari A: Riformatim i koalicionit aktual me aleatë të rinj
VV mbështetet nga minoritetet dhe ndonjë pjesë e NISMA -së apo deputetë të pavarur;, Në këtë rast, kemi një qeveri “të brishtë” që vazhdon mandatin, por e cënueshme ndaj krizave të brendshme.
Skenari B: Koalicion i gjerë me LDK-në për një agjendë të përbashkët
Mund të krijohet një marrëveshje e qartë për prioritete: reforma zgjedhore, siguri, integrim evropian;
LDK merr poste kyçe dhe balancë reale në qeverisje – jo thjesht si dekor.
Ky i dyti do të ishte skenari më stabil për vendin, sidomos në rrethana të brishta ndërkombëtare dhe me sfida serioze në horizont”, thekson njohësi.
Sipas tij, nëse LDK vendos të mos hyjë në qeveri duhet të ofrojë një alternativë të besueshme për të drejtuar vendin pas zgjedhjeve të mundshme.
“Stabiliteti real i qeverisë së re kërkon: Qartësi politike – kush janë partnerët dhe për çfarë janë bashkuar (jo vetëm për të mos shkuar në zgjedhje).Program të përbashkët qeverisës – që përfshin fusha të qarta si drejtësia, siguria dhe zhvillimi ekonomik. Përfshirje të pakicave pa ndikim të Beogradit – për të shmangur bllokadat si ajo që po përjetohet tani.LDK po testohet nëse do të jetë faktor i stabilitetit apo i kalkulimeve për pushtet. Nëse LDK zgjedh të mos hyjë në qeveri, duhet të ofrojë një alternativë të besueshme për të drejtuar vendin pas zgjedhjeve të mundshme. Nëse vendos të hyjë në bashkëqeverisje, duhet të kërkojë rol të barabartë dhe garanci për partneritet afatgjatë. Për VV-në, është koha për më pak retorikë dhe më shumë maturi politike – sepse ndërtimi i një shumice është më i vështirë sesa fitorja në zgjedhje”, përfundon Blakaj.
Të tjera
Krasniqi kërkon që Kushtetuesja ta refuzojë ankesën e Listës Serbe
Pas Graçanicës Posta e Kosovës merr objektin edhe në Shtërpcë ku ishte duke operuar ilegalisht Posta e Serbisë
Tek Juventusi, unë e përfaqësoj krejt popullin shqiptar