Abdixhiku flet për komunikimet në Viber-in e Kryesisë së LDK-së

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për komunikimet e brendshme të Kryesisë së LDK’së, të publikuara ku flitej për “skemë të organizuar kriminale” lidhur me votat e mërgatës me postë.

Abdixhiku ka thënë se ndjen keqardhje që këto diskutime dolën në publik, meqë ka forume partiake. Shtoi se e merr përgjegjësinë për mesazhet që rrodhën nga Kryesisa, duke shtuar se vetë e ka zgjedhur dhe se secili nga 40 emrat është propozuar nga vetë ai.

Unë ndjej keqardhje që diskutimet bëhen publik sepse ka forume partiake ku mund të bëhen. Ndjej keqardhje për më tepër edhe për argumentet e përdorura në këtë drejtim sepse janë argumente që shumë përkojnë me kundërshtarët tanë politikë e atëhërë s’ka kuptim”, ka deklaruar Abdixhiku.

Abdixhiku tha se të gjitha diskutimet i kryen në forumet e partisë, teksa shtoi se nuk ka asnjë ankesë për asnjë anëtar të LDK-së.

I pyetur specifikisht për përplasjen me Avdullah Hotin dhe kërkesën e tij për lidership të ri në LDK, Abdixhiku tha se i ka ofruar të gjitha por se nuk ka pasur interesim.