Dështoi konstituimi i Kuvendit të Kosovës edhe në vazhdimin e sotëm të seancës, që ishte ndërprerë më 15 prill. Edhe kësaj here, seanca u ndërpre dhe do të vazhdojë të shtunën , më 19 prill, në orën 12:00, raporton Ekonomia Online.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, tha se gjatë konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike, nuk kishte konsensus se si të shkohet përpara.
PDK, LDK dhe AAK fajësuan Vetëvendosjen se me ndërprerjen e seancave po tenton të blejë kohë për pazare politike, pasi sipas tyre, kjo parti nuk i ka votat për të zgjedhur as kryeparlamentarin, as Qeverinë.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje po e akuzon opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.
Lumir Abdixhiku: Seanca u ndërpre pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.
Ai tha seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.
“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin… Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh Abdixhiku.



Të tjera
Ballkani në epërsi të dyfishtë ndaj Dritës
Studimet më të reja tregojnë përse nuk do të duhej të nxirrni dhëmballët
“Kemi shumë mall dhe krenari për ty”