​Rrugë e gjatë për drejtësi: Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës fillon të marrë dy pensione

Për herë të parë një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka filluar të marrë dy pensione që i takojnë – atë si viktimë e dhunës seksuale si dhe pensionin e moshës.

Lajmin e ka bërë të ditur drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Ferdie Rushiti.

“Dhe sot, për herë të parë, një e mbijetuar nuk duhet të zgjedhë mes dy identiteteve të saj, ajo i mban të dyja me dinjitet”, shkroi Rushiti në Facebook.

QKRMT ka nisur procesin gjyqësor për njohjen e të drejtës për pensionin e dyfishtë në vitin 2021.

Edhe pse Ligji për statusin dhe të drejtat e kategorive të dala nga lufta thotë se përfitues të pensionit të viktimave të dhunës seksuale të luftës mund të jenë edhe shfrytëzuesit e pensionit bazë që është i rregulluar me Ligjin për skemat pensionale, të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës janë detyruar të heqin dorë nga pensioni i moshës, apo ai i viktimës meqë shteti nuk i ka lejuar të marrin dy pensionet.

Të mbijetuarit, përmes QKRMT-së kanë kërkuar të drejtën e tyre përmes rrugëve ligjore.