Presidentja Osmani dhe e ngarkuara me punë në ambasadën amerikane flasin për konstituimin e Kuvendit

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së ShBA-së në Kosovë, Anu Prattipati.

Osmani tha se me Pratipattin folën për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë hapat tutje drejt konstituimit të legjislaturës së re dhe hapat e mëtejmë institucional në përputhje me Kushtetutën.

Sipas njoftimit nga Presidenca, presidentja Osmani e ka njoftuar znj. Pratipatti për letrën e saj drejtuar deputetëve lidhur me hapat e ardhshëm për krijimin e institucioneve të reja, në funksion të garantimit të stabilitetit dhe funksionalitetit demokratik të shtetit.

Presidentja Osmani theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë bilateral me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri më i rëndësishëm strategjik i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, u diskutua gjithashtu edhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, gjë që përfundimisht kontribuon edhe në forcimin e paqes e stabilitetit në rajon, thuhet në njoftim.