​Hoxha: Grup i dyshuar për vrasjen e rreshterit Lika, dyshohet për prirje ekstremiste

Policia dhe Prokuroria Themelore në Ferizaj, pas një aksioni të madh policor për arrestimin e shtatë personave të dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika, kanë dhënë detaje në konferencë për media, raporton KosovaPress.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, deklaroi se disa nga të dyshuarit dyshohet kanë të kaluar kriminale dhe kanë qenë të arrestuar më parë për raste të ndryshme, përfshirë edhe ato me prirje ekstremiste. Megjithatë, sipas tij, ende është herët për të folur me siguri për ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë me terrorizmin, pasi hetimet janë në vazhdim dhe do të shtrihen edhe më tej.

 

Hoxha: Kanë qenë të arrestuar rreth rasteve të më hershëm me prirje ekstremiste,

“Ne kemi arritur të sigurojmë prova dëshmi, të cilat i lidhin këtë grup kriminal me vrasjen e rreshterit tonë, mbetet të shihet backgroundi i tyre, disa nga ta kanë pasur të kaluar kriminale kanë qenë të arrestuar rreth rasteve të më hershëm me prirje ekstremiste, por për çështjen e terrorizmit duhet ta shohim pastaj sepse hetimet do të vazhdojnë tutje për të vërtetuar këtë punë, janë persona të dyshimtë të rrezikshëm të cilët, ne dyshojmë që e kanë kryer këtë vrasje dhe kanë planifikuar dhe bashkëekzekutua”, theksoi ai.

Hoxha: Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste

“Rreshteri jonë ka qenë në detyrë zyrtare kur kanë ndodhur këto raste dhe ka punuar në mbështetje të hetimeve të policisë me qëllim të ndriçimit të rasteve të më hershme. Këta janë persona të dyshimtë që kanë qenë disa prej tyre kanë qenë të arrestuar te rastet e më hershme në lidhje me pamfletin dhe djegien e gjykatës në Kaçanik”, tha ai.

Ndërsa, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, ka thënë se janë arrestuar shtatë persona dhe vrasja e rreshterit Muhamed Lika nga hetimet e para dyshohet se ndërlidhen me punën e tij si zyrtar policor.

Më vonë, Prokuoria në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të mitur, për shkak të dyshimit të veprës penale Vrasja e rëndë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar lidhur me aksionin policor të zhvilluar në orët e hershme të së hënës në Kaçanik. Ky aksion lidhet me vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

Sveçla ka shkruar në Facebook se drejtësia për rreshterin Lika që u vra më 1 prill, është domosdoshmëri.

“Muhamed Lika, familja e tij, Policia e Kosovës, populli dhe shteti kërkojnë dhe meritojnë drejtësi”, ka shkruar Sveçla në Facebook, duke lënë të kuptohet se aksioni i sotëm në Kaçanik është një hap drejt zbardhjes së këtij rasti të rëndë më 1 prill.

Mëngjesin e së hënës, Njësia Speciale e Policisë së Kosovës zhvilloi një operacion policor në Kaçanik që ka të bëjë me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

Më 1 prill, Muhamed Lika ishte gjetur i plagosur rëndë në hyrje të ndërtesës së tij, në rrugën ‘Idriz Seferi’, në Kaçanik rreth orës 23:00. Ai u transportua në Qendrën e Mjekësisë në Kaçanik, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.