Vjen reagimi nga VV pasi LDK dorëzoi 17 kallëzime penale ndaj tyre

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale sot 17 kallëzime penale ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe ish-ministrave të kabinetit të tij.

Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, reagoi ndaj kallëzimit penal duke e quajtur këtë veprim absurd dhe pa asnjë bazë ligjore.

Sipas Çekut, LDK-ja po bën një interpretim të gabuar të situatës kushtetuese dhe të mandatit të qeverisë në detyrë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe zëvendësimin e tij me një ministër.

“Nuk ka telashe, sepse nuk ka bazë. Domethënë, nuk ka gjë më absurde sesa kjo kërkesa e Lidhjes Demokratike. Po i thonë kryeministrit lëshoje zyrën, sepse je betu tash si deputet, por kur po e pyesim ne kush duhet me e udhëheqë ekzekutivin derisa të bëhet qeveria e re, nuk dinë me dhënë përgjigje. Me i thënë kryeministrit ti largohu, e këta le të vazhdojnë me punu do zëvendësa aty, s’ka kurrfarë kuptimi, sepse kryeministri është Qeveria,” tha Çeku.

“Na jemi ministrat e Legjislaturës së tetë dhe deputetë të Legjislaturës së nëntë. Kur jam zgjedhë ministër, më ka përfundu mandati i deputetit, jam ministër. Sot jam në detyrë, kujdestaroj derisa të jem ministër i Legjislaturës së Nëntë. Është krejt e palogjikshme, por sidomos ditëve të fundit kemi parë qëndrime, deklarata dhe veprime të pamençura që po i bën Lidhja Demokratike në këtë situatë,” deklaroi Çeku.