LDK: MPJD të sqarohet për skandalin me postën diplomatike, fajin ia la operatorit ekonomik

Bexhet Xheladini rikonfirmohet si kandidat për kryetar në Dragash

Gjatë ditës së sotme u mbajtën mbledhjet e Kryesisë së ngushtë dhe Kryesisë së zgjeruar të Degës së LDK-së në Dragash, përcjell KosovaPost.

Fillimisht, duke nisur nga ora 15:00, u mblodh Kryesia e ngushtë, ku mori pjesë kryetari i Degës, Dr.Bexhet Xheladini, nënkryetarët e Degës, kryetarja e Forumit të Gruas dhe kryetari Forumit të Rinisë.

Më pas, duke filluar nga ora 16:00, vazhdoi mbledhja e Kryesisë së zgjeruar, me anëtarët e Kryesisë së Degës, kryetarët e nëndegëve dhe asambleistët.  Në mbledhjen e kryesuar nga kryetari i Degës, Dr.Bexhet Xheladini, në rend të ditës ishin tri pika: 1. Analizë e zgjedhjeve të përgjithshme; 2. Përgatitjet për Zgjedhjet Lokale; dhe 3. E ndryshme.

Në pikën e parë të rendit të ditës u diskutua mbi ecurinë dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të përgjithshme, me ç’rast u vlerësua kontributi i të gjitha strukturave të Degës dhe u kërkua një angazhim maksimal edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në pikën e dytë të rendit të ditës u shqyrtuan hapat e mëtutjeshëm për një organizim sa më efikas të Degës në procesin e Zgjedhjeve Lokale. Në këtë pikë u propozua edhe çelësi për përzgjedhjen e numrit të kandidatëve për Asamble Komunale nëpër nëndegë.

Gjithashtu, me vota unanime të të gjithë Kryesisë, kryetari i deritashëm i Degës së LDK-së në Dragash, njëherit edhe kryetar i Komunës së Dragashit, Dr.Bexhet Xheladini, u propozua kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit në zgjedhjet e ardhshme Lokale, si dhe bartës i Listës së kandidatëve për Asamble Komunale.