Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës (SHIL UÇK) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve (SHFD UÇK) kanë reaguar ashpër ndaj vizitës së paralajmëruar në Kosovë të Kryetares së Trupit Gjykues të Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trendafilova, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe fyese për ata që kanë sakrifikuar për lirinë e vendit.
Në një deklaratë të përbashkët për media, këto organizata vlerësojnë se vizita, e cila pritet të zhvillohet pa praninë e publikut dhe mediave, është “e mbështjellë me fshehtësi” dhe nuk ka të bëjë me drejtësi apo transparencë.
“Kjo vizitë është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike,” thuhet në reagim.
Organizatat e dala nga lufta theksojnë se qasja e tillë nga përfaqësues të Dhomave të Specializuara është vazhdim i padrejtësisë ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ndërkohë që, sipas tyre, gjykata ka heshtur për krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës.
“E njëjta gjykatë që heshti për krimet serbe mbi civilët shqiptarë, sot vjen në Kosovë si ‘autoritet drejtësie’, por nuk ka guxim të përballet me opinionin publik. Kjo është hipokrizi e pastër,” thuhet në deklaratë.
OVL UÇK, SHIL UÇK dhe SHFD UÇK i bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj fasade, duke kërkuar transparencë dhe respekt për sakrificën e luftës së UÇK-së.
“Historia nuk fshihet me dyer të mbyllura, po ashtu as e vërteta nuk trembet nga sytë e publikut,” përmbyllet reagimi i organizatave.
Të tjera
Ballkani mes dronëve të NATO-s dhe raketave nga Lindja
Halil Geci: Edhe pa Kurtin, populli nuk e dorëzon Mitrovicën
Shqiptarët me parulla edhe në gjuhën angleze bëjnë thirrje për drejtësi në Hagë, pamje