Polonia po planifikon të vendosë sanksione ndaj liderit serb të Bosnjës Milorad Dodik dhe kjo masë është duke u përgatitur, por ende nuk ka hyrë në fuqi, konfirmoi ambasada polake në Sarajevë.
Një pjesë e mediave lokale në Bosnje-Hercegovinë njoftuan se Dodik tashmë është nën sanksione, gjegjësisht se i ndalohet hyrja dhe kalimi tranzit përmes Polonisë, por kjo u pasua me një sqarim se një masë e tillë ende nuk ka hyrë në funksion.
Bëhet e ditur se ambasada polake njoftoi se procedura për vendosjen e sanksioneve ishte nisur për shkak të “shkeljes së rëndë të integritetit të Bosnjë-Hercegovinës nga Dodik, e cila njihet si subjekt i së drejtës ndërkombëtare”, shkruanRadio Evropa e Lirë.
Iniciator i vendosjes së masave ndëshkimore ndaj Dodikut është ministri i Punëve të Jashtme të Polonisë, Radosław Sikorski, dhe sqarimi i detajuar i vendimit do të publikohet pas përfundimit të procedurës dhe hyrjes në fuqi të ndalimit.
Në këtë mënyrë Polonia do të bashkohej me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Austrinë dhe Gjermaninë, të cilat e sanksionuan më herët Dodikun.
Raportohet se SHBA ishte e para që vendosi masa ndëshkuese ndaj Dodikut në dy raste, duke e sanksionuar atë për rrezikim të zbatimit të Marrëveshjes së Dejtonit dhe për korrupsion.
Ndryshe, bashkëpunëtorja më e afërt e Dodikut Zheljka Cvijanoviq është gjithashtu nën sanksionet e SHBA-së dhe Britanisë.
SHBA ka vendosur masa ndëshkuese edhe ndaj shumicës së zyrtarëve të tjerë të Republikës Srpska.



Të tjera
Osmani takon zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit, Christopher Landau
Të gjitha kufizimet që nënat e reja kanë disa javë pas lindjes me operacion
Liverpool në ankth, priten rezultatet e ekzaminimeve për Isakun