Aktori dhe poeti Çun Lajçi ka reaguar ashpër ndaj etiketimit të kundërshtarëve politikë si agjentë të Serbisë apo Rusisë, duke shprehur zhgënjimin e tij të thellë ndaj një mentaliteti që, sipas tij, nuk ka ndryshuar shumë nga koha e komunizmit. Në një postim të tij në Facebook, ai shtron pyetjen nëse është mëkat të ndihesh shqiptar dhe të mos mbash flamurin e asnjë partie.
Postimi i plotë: A po m’tregoni diçka?
E kam kuptuar atë botë, ku edhe frymëmarrja duhej të ishte ideologjike. Ku edhe loti duhej të dilte sipas vijës së partisë. Ku nuk i shkruaje dot një poezi gruas pa i rënë rreth e rrotull “udhëheqësit të ndritur”. – E kam kuptuar një sistem ku vlonin spiunët si krimbat, ku s’guxoje të pështurrje qosheve të qytetit pa kqyrur tri herë mbrapa — mos ndoshta është ndalur ndonjë spiun te ndonjë pemë!
E kam kuptuar një sistem të çmendur, ku nuk guxoje të bëje dashuri me gruan para fotografisë së Enverit që dridhej varur në mur. Kur i çkyje gjunjët për të sjellë në jetë dhjetë fëmijë e për ta bërë Titon kumbar, kur nuk guxoje t’i shkruaje vargjet e zemrës për “lulen lule” apo “kaçen kaçë”…
Prandaj…m’tregoni para se ta mbyll këtë kafe vetmie? A është mëkat të ndihesh shqiptar, pa brohoritur për askënd? A është faj të duash kombin pa e pështjellë me flamuj partie?
Dhe krejt n’fund… A është normale që po i frikësohem edhe vetvetës sime, se ndoshta një ditë do më quajë edhe ajo…agjent?
Prishtinë, 23.05.2025
Të tjera
Kr*imet e ekstremistëve të krahut të djathtë në Austri rriten me mbi 40 për qind në 2025
Petar Petkoviqi refuzon të diskutojë në Bruksel për Luginën, reagon Shaip Kamberi
Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënon su*lmin iz*raelit ndaj Katarit