`Miku i Policisë` – projekti që forcon lidhjen e Policisë me të rinjtë

`Miku i Policisë` – projekti që forcon lidhjen e Policisë me të rinjtë

Departamenti për Rend Publik i Policisë së Kosovës, nëpërmjet Divizionit të Policimit në Bashkësi dhe Drejtorisë së Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, zhvilloi më 28 maj 2025 projektin “Miku i Policisë – Ndërtues i Paqes”. Ky projekt synon parandalimin e dukurive negative mes të rinjve përmes edukimit, dialogut dhe ndërtimit të besimit ndërmjet policisë dhe komunitetit, transmeton KosovaPost.

Në kuadër të këtij projekti u organizua një aktivitet me rreth 70 nxënës nga komunat e Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, ku morën pjesë edhe arsimtarë dhe psikologë nga Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP). Qëllimi i aktivitetit ishte forcimi i bashkëpunimit ndërmjet të rinjve dhe Policisë, duke i mbështetur ata si faktorë kyç në ndërtimin e sigurisë dhe mirëqenies së komunitetit.

Ky aktivitet u mbështet nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), Kuvendet Komunale të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit, si dhe njësitë e specializuara policore si Njësia e Hetimeve të Krimeve Kibernetike, K9 dhe Njësia e Motoçikletave.

Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj për të ndërtuar një shoqëri ku dialogu dhe respekti janë themeli i bashkëjetesës, dhe ku të rinjtë luajnë rol aktiv në parandalimin e dukurive negative dhe krijimin e një të ardhme më të sigurt për gjithë qytetarët.