Ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka folur për rrezikun që i kanoset vendit nga kërcënimet serbe.
Ai ka deklaruar se Kosova në vazhdimësi ngre shqetësim për prezencën e bazave të përparme operacionale të ushtrisë dhe xhandarmërisë serbe përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës.
“Diku 70 për qind e të gjitha kapaciteteve ushtarake të ushtrisë së Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, pra jo larg Republikës së Kosovës. Dhe kësaj duke i shtuar edhe këto 48 bazat e përparme që ne gjithmonë i vlerësojmë si kërcënim. Kur fqinji të vendos në kufi forcat ushtarake, në një formë apo një tjetër, e kërcënon sigurinë dhe stabilitetin e atij vendi”, tha ai.
Maqedonci tha se kjo nuk po bëhet rastësisht.
“Dhe kur e kemi gjithë këtë prezencë dhe kemi një mbështetje të grupeve kriminale dhe terroriste, siç ishte ai i Radoiçiqit, që tentoi aneksimin e Veriut të vendit tonë, kjo tregon për qasjen agresive që Serbia vijon ta ketë në raport me Republikën e Kosovës,” shtoi ai.

Ferizi thekson se ky nuk është vetëm një zhvillim ushtarak, por një sinjal alarmi për një kërcënim të vazhdueshëm gjeopolitik nga boshti Beograd-Moskë.
Sipas tij, shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi janë shndërruar në një faktor kyç të stabilitetit rajonal dhe partner të besueshëm të NATO-s.
“Deklaratat e fundit të Ministrit të Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, mbi përqendrimin e 70% të kapaciteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën, nuk janë thjesht një vlerësim teknik ushtarak. Ato janë sinjal alarmi për një kërcënim të vazhdueshëm gjeopolitik që Serbia, me përkrahje të drejtpërdrejtë apo të tërthortë nga Rusia, po e mban aktiv në Ballkan.
Në këtë kontekst, shqiptarët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Mal të Zi, po dalin gjithnjë e më shumë si një faktor thelbësor i stabilitetit rajonal dhe partner strategjik i NATO-s në përballje me politikat destabilizuese të boshtit Beograd-Moskë.
Faktorizimi i shqiptarëve nuk është më vetëm aspiratë politike – është realitet strategjik ndërkombëtar. Ushtria e Kosovës po përfiton nga stërvitjet dhe mbështetja e vazhdueshme e aleatëve si SHBA, Gjermania e Turqia. Shqipëria, si anëtare e NATO-s, ka ngritur kapacitetet e saj dhe po shndërrohet në një nyje kyçe logjistike dhe ushtarake për aleancën në jug të Ballkanit,” thotë Ferizi .
Ai nënvizon se kjo pozitë nuk është më vetëm një aspiratë politike, por një realitet strategjik, i mbështetur nga aleatët perëndimorë, si SHBA, Gjermania dhe Turqia.
Me këtë rast, Ferizi propozon disa hapa konkrete që duhet t’i ndërmarrë Kosova në fushën e mbrojtjes:
Koordinim i thelluar ndërshqiptar – Kosova dhe Shqipëria duhet të harmonizojnë politikat e tyre të mbrojtjes, të sigurisë dhe diplomacisë, duke ndërtuar një platformë të përbashkët kombëtare në NATO dhe me partnerët strategjikë.
Përshpejtimi i profesionalizimit të FSK-së – Kosova duhet ta çojë përpara transformimin e plotë të Forcës së Sigurisë në një ushtri funksionale dhe të gatshme për mbrojtje territoriale, me mbështetje të drejtpërdrejtë nga aleatët.
Diplomaci aktive dhe lobim në instanca ndërkombëtare – Përballë përpjekjeve të Serbisë për të minuar sovranitetin e Kosovës në forumet ndërkombëtare, duhet diplomaci më proaktive, me një zë të përbashkët shqiptar në Këshillin e Evropës, NATO dhe forumet tjera multilaterale.
Zhvillimi i industrisë mbrojtëse – Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria, duhet të investojnë në industri të përbashkët të prodhimit të pajisjeve ushtarake dhe logjistikës mbrojtëse, me teknologji moderne (si dronë, radarë, komunikim elektronik).
Ndërtimi i vetëdijes kombëtare dhe qytetare – Përballë rrezikut hibrid dhe fushatave propagandistike të Serbisë dhe Rusisë, duhet forcim i reziliencës shoqërore dhe bashkim i faktorit qytetar përtej politikës së përditshme.
Ferizi propozon gjithashtu:
Nënshkrimin e një memorandumi strategjik Kosovë-Shqipëri,
Krijimin e një komande të përbashkët planifikimi ushtarak dhe emergjencash Kosovë-Shqipëri,
Diplomaci shqiptare që lobon në NATO për t’i dhënë Kosovës status të avancuar bashkëpunimi, në modelin e Finlandës dhe Suedisë para anëtarësimit.
“Shqiptarët nuk janë më vetëm objekt i historisë ballkanike – ata janë bërë faktor i paqes dhe sigurisë në rajon.
Kjo pozitë e re kërkon përgjegjësi të re: bashkëpunim, maturi strategjike dhe përkushtim për ta ruajtur këtë rol në koordinim të ngushtë me aleatët perëndimorë.
Serbia mund të mobilizojë forcat e saj ushtarake, por nuk mund të fitojë luftën politike dhe gjeostrategjike në një rajon që ka zgjedhur Perëndimin, paqen dhe integrimin euroatlantik,” përfundon Ferizi.
Ndryshe, ministri në detyrë i Mbrojtjes, në lidhje me deklaratën e tij se 70 për qind e ushtrisë serbe është pranë kufirit të Kosovës, ka thënë se kjo nuk përbën lajm, pasi është thënë shumë herë gjatë viteve të fundit.
Të tjera
Zlatan Elek dështon për herë të tretë, s’merr votat për nënkryetar
Kryeparlamentari Basha mban konferencë për media
Murati thotë se deputetët sot kanë dy opsione të zgjedhjes mes Listës Serbe dhe Nenad Rashiqit