Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka vizituar komandën e divizionit të 28-të të këmbësorisë së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila po drejton brigadat shumëkombëshe në kuadër të ushtrimit të përbashkët ushtarak Defender Europe 25 që po mbahet në Kosovë, transmeton KosovaPost.
Në këtë vizitë, Kurtit i shoqëroheshin ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe Komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari.
Gjatë vizitës, Kurti theksoi se ky ushtrim është duke u zhvilluar me sukses të plotë, ndërsa vlerësoi lart bashkëpunimin ndërkombëtar ushtarak.
“Ushtria jonë çdo ditë po dëshmon aftësitë ndërvepruese me ushtritë e vendeve të NATO-së”, ka shkruar ai në një postim në Facebook.
Pas vizitës në komandën amerikane, delegacioni ka vazhduar në Devë, ku vizituan një batalion shumëkombësh të Forcës për Detyrë, të udhëhequr nga regjimenti i dytë i këmbësorisë së FSK-së.
Në fund, ata kanë inspektuar poligonin për qitje me armë të lehta – një investim i realizuar falë donacionit të Shteteve të Bashkuara për ushtrinë e Kosovës. Gjithashtu, Kurti ka nënvizuar punët infrastrukturore që po zhvillohen në zonën kryesore të trajnimit në Babaj të Bokës, duke i konsideruar ato si përforcim të kapaciteteve ushtarake dhe trajnimit të FSK-së.
Ushtrimi “Defender Europe 25” është një nga më të mëdhenjtë të organizuar nga SHBA dhe NATO në rajon, me pjesëmarrjen e dhjetëra mijëra trupave nga vende aleate dhe partnere.
Të tjera
Kryeparlamentari Basha mban konferencë për media
Murati thotë se deputetët sot kanë dy opsione të zgjedhjes mes Listës Serbe dhe Nenad Rashiqit
Luftën e UÇK-së e kam të shenjtë, distancohem nga të gjithë ata që kanë shkruar kundër kësaj vlere