Islami: Tensionet në veri dhe festimet e Vidovdanit me sfond nacionalist serbë

Serbia ka nisur sërish ngritjen e tensioneve në veri të Kosovës.

Kështu tha njohësi i sigurisë, Avni Islami përmes një postimi në rrjetin social në Facebook duke shkruar se përgatitjet për festimet e Vidovdanit, më 28 qershor, po zhvillohen intensivisht shoqëruar me thirrje nacionaliste dhe retorikë të klerikëve serbë, të cilët janë të dukshëm si në rrugë, ashtu edhe në rrjetet sociale.

“Teksa afrohet 28 qershori, përgatitjet për festimet e Vidovdanit veç kanë filluar — bashkë me sloganet nacionaliste dhe retorikën e klerikëve serbë që tashmë janë të pranishme në rrugë e në rrjetet sociale. Një atmosferë e stisur, me qëllim provokimi dhe destabilizimi. E kemi parë këtë skenar shumë herë më parë. Kujdes duhet dhe vigjilencë”, ka shkruar Islami duke bashkëngjitur një artikull të Tv Dukagjini me titull  “Përgatitjet për Vidovdan nga Prizreni me thirrje e slogane nacionaliste”.
Ndryshe, ditë më parë në veri të Mitrovicës një grup maturantësh kanë festuar përfundimin e shkollës duke defiluar në sheshin “Car Llazar” në veri të Mitrovicës.
Festimet janë shoqëruar me këndim të këngëve me përmbajtje nacionaliste, përdorim të fishekzjarrëve dhe valëvitje të flamurit serb.