Vrasja e Liridona Ademajt, krejt çka ndodhi në seancën e sotme – Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik

​Vrasja e Liridona Ademajt, detajet nga seanca e sotme gjyqësore

Trupi gjykues në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt ka aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit Naim Murseli për ekzaminim e tij psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës brenda dy javësh.

Seancat e radhës janë caktuar më 2 e 3 korrik nga ora 13:10, ndërsa më 14 korrik nga ora 09:00. Në seancën e 2 korrikut do të dëgjohet si dëshmitar vëllai i Liridonës, Leonard Ademaj.

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, e vrarë në fund të nëntorit 2023 në Bërnicë të Prishtinës, Leutrim Syla tha se qëndrojnë në tërësi prapa aktakuzës së ngritur ndaj të pandehurve për vrasje, ndërsa shprehu konsideratë për të pandehurin e katërt Tom Dodaj, i cili qysh në shqyrtimin fillestar kishte pranuar fajësinë.

“Pse Liridona Ademaj u privua nga jeta në mënyrë aq dinake? Besoj se para kësaj gjykate do t’i jepet përgjigje pyetje babait të Liridonës pse Naim ti munde të dalësh me fëmijët nga vetura e Liridona mbeti brenda? Pse babai e la hajnin me ia bë nënës ‘bam’? Para kësaj gjykate besoj se do të qartësohet edhe fakti se çka patë nevojë Naim Murseli ta takojë Kushtrim Kokallën ditën e vrasjes në Gjakovë. Pse pas atij takimi që nga i akuzuari Kushtrim Kokalla gjatë deklaratës së dhënë nga ai ka thënë se është deklarim shumë i shkurt e që sipas tij ka refuzuar të bashkëpunojë me Naimin për eliminim fizik të Liridonës. Naimi komunikon me Granitin duke u thënë se atë të kallëzoj se kjo punë duhet kryer”, tha avokati Syla.

Ai shtoi se Naim Murseli darkoi në restorantin e njëjtë me vrasësin e gruas së tij duke qenë i informuar për prezencën e tij ditën e vrasjes.

“Kjo ngjarje është edhe më shokuese kur do të vërtetohet se Naim Murseli kontribuoi në eliminimin e Liridonës”, tha ai.

Avokatja e të akuzuarit Naim Murseli, Teuta Zhinipotoku tha se pala mbrojtëse thekson se prokuroria nuk ka paraqitur prova bindëse për rastin.

“Prokuroria në këtë rast nuk ka paraqitur prova apo argument të qëndrueshme për motivin qe mund ta ketë shtyrë të pandehurin drejt një akti të tillë në mungesë të një motivi të qartë, pretendimi për veprën penale të rëndë mbetet pa mbështetje dhe i paqëndrueshëm juridikisht”, tha ajo.

Lidhur me kërkesën e ekzaminimit psikiatrik të Naim Murselit kërkesë kjo e bërë nga vetë mbrojtja e Murselit, prokurorja e rastit tha se nuk e kundërshton një gjë të tillë, por shton se në mungesë të raporteve mjekësore kjo kërkesë po paraqitet vetëm sa për ta zvarritur procesin. Ndërsa, avokati i familjes se Liridona Ademaj, Leutrim Syla tha se nuk e kundërshtojnë këtë kërkesë

Gjykata e aprovon kërkesën, Naim Murseli do t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik

Gjykata Themelore në Prishtinë ka miratuar kërkesën e mbrojtjes që Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.

Kërkesa është bërë pas deklarimeve të Murselit për një gjendje emocionale të paqëndrueshme dhe për mendime vetëvrasëse gjatë qëndrimit të tij në paraburgim.

Sipas vendimit të gjykatës, ekzaminimi psikiatrik duhet të realizohet brenda dy javësh, dhe pritet të ndihmojë në vlerësimin e gjendjes mendore të të akuzuarit për të vijuar me procedurat e mëtejshme gjyqësore.

Rasti Murseli ka ngjallur vëmendje të madhe publike për shkak të rrethanave të rënduara të krimit dhe zhvillimeve në procesin gjyqësor.

“Pse babi e la hajnin me ia ba nanes bam”- Përfaqësuesi i familjes Ademaj thotë se presin që nga ky gjykim të kuptohet pse Liridona u vra në mënyrë aq dinake

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Leutrim Syla, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, në fjalën përfundimtare të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, tha se presin që ky gjykim t’iu japë përgjigje shumë dilemave, e sidomos të vërtetës se pse Liridona Ademaj u vra në mënyrë aq dinake.

“Konsideroj që ky shqyrtim gjyqësor do t’i japë përgjigje të gjitha dilemave të ngritura dhe bashkëndjera nga populli i Kosovës në mbështetje morale të familjes Ademaj, e po ashtu me dëshirën për të kuptuar të vërtetën e plotë se pse Liridona Ademaj u priva nga jeta në mënyrë aq dinake”, tha Syla, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Syla fillimisht theksoi se janë mirënjohës që i akuzuari Tom Dodaj në shqyrtimin fillestar u tregua i sinqert dhe e pranoi fajësinë

Ai tha se beson që do t’i jepet përgigje edhe pyetjes së babait të tani të ndjerës Liridona Ademaj “Pse Naim ti munde të dalësh me fëmijët nga vetura, e Dona mbeti e fundit”, pyetjes së fëmijëve të Liridonës “Pse babi e la hajnin me ia ba nanes bam”, pyetjes së nënës së Liridonës “Pse s’kam me pa ma Liridonën”, pyetjes së Leonardit “Pse Naimi po mundet aq qetë me ju bërtitë fëmijëve atë natë, e një ditë më vonë me u ushqy në Swiss Diamond si mos me ndodh asgjë”.

Syla tha se pret që të qartësohet edhe fakti se pse ishte e nevojshme që Murseli ta takojë Kokallën në një qendër në Gjakovë, ditën e vrasjes. Po ashtu, edhe faktin që pavarësisht se Kokalla kishte deklaruar se takimi kishte qenë i shkurtër dhe kishte refuzuar bashkëpunimin, Naimi kishte komunikuar me Granitin, duke i thënë se “kjo punë duhet të kryhet”.

Po ashtu, tha se presin që sqarohet se pse Naimi kishte shkuar bashkë me Plavën të blejë armë, e të cilën e pagoi vetë Murseli e ia dorëzoi atij, dhe shkuan deri te vendi i ngjarjes.

“Aty u ndan për të lënë që të ndodhë ajo që ndodhi. Besoj që ashtu si gjithë populli i Kosovës, para kësaj gjykate nuk do të mbetemi të pashokuar se si do të vërtetohet që Naim Murseli darkoi në restorantin e njëjtë me vrasësin e gruas së tij dhe duke qenë i informuar për prezencën e tij, kjo ngjarje është edhe më shokuese kur do të vërtetohet që Naimi konribuoi drejtpvrdrejtë me kontribut fizik në eliminimin e Liridonës”, tha Syla.

Në fund, tha se pret që gjykimi do të përfundojë me dënim meritor për të akuzuarit.

Fjalën e avokatit Syla dhe të prokurores, e mbështeti vëllai i tani të ndjerës- Leonard Ademaj.

Vrasja e Liridona Ademaj, prokurorja: Aktakuza me bazë të qëndrueshme dhe prova të mjaftueshme

Sot është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq, në fjalën e saj tha se prokuroria ka paraqitur aktakuzën mbi baza të qëndrueshme dhe me prova të mjaftueshme.

“Pas provave te mjaftueshme të mbledhurave dhe gjatë krahasimit të të njëjtave prokuroria konsideron se kundër të akuzuarve Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ku prokuroria ka paraqitur aktakuzën për kryerjen e veprave penale që u ngarkohen të akuzuarve. gjatë prezantimit të provave të mbledhura dhe krahasimit të tyre, prokuroria vlerëson se ekziston dyshim i bazuar se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilat po ndiqen. Dyshimi i bazuar ndaj të pandehurve mbështetet në prova të shumta materiale dhe në deklaratat e vetë të akuzuarve, të cilat janë dhënë gjatë fazës hetimore, përfshirë edhe para policisë”, tha Perlinçeviq.

Më 15 janar Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në seancën e parë të mbajtur më 31 janar, tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm, derisa Dodaj e pranoi fajësinë e ia kishte shitur armën.

“Pse babi e la hajnin me ia ba nanës bam”: Avokati i familjes së Liridona Ademajt emocionin me fjalën hyrëse në Gjykatë

Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka mbajtur fjalën hyrëse në Gjykatë.

Ai ka treguar për disa prej pyetjet që ia ka bërë familja.

“Besoj se para kësaj gjykate, do të jepet përgjigje pyetjes së babait të Liridonës

“Pse Naim ti munde të dalësh me fëmijët nga vetura, e Dona mbeti brenda”, pyetjes së fëmijëve të Liridonës

“Pse babi e la hajnin me ia ba nanës bam”, pyetjes së nanës së Liridonës “pse nuk ko me pa ma Liridonën”, pyetjes së Leonardit

“Pse Naimi po mundet aq qetë me iu bërtit fëmijëve atë natë”, e një ditë më vonë me u ushqy në Swiss Diamond sikur nuk ka ndodh asgjë”, tha avokati.

Naim Murseli para Gjykatës: Nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë kërkoj për veten burg të përjetshëm

Naim Murseli ka folur para Gjykatës për vrasjen e Liridona Ademajt.

Ai është deklaruar i pafajshëm. Ka thënë se nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, kërkon burg të përjetshëm për veten.

“Nëse vërtetohen pretendimet e Prokurorisë, unë vetë për veten time kërkoj burgim të përjetshëm”, tha Murseli.

Familjarët e Liriona Ademajt në seancën gjyqësore për vrasjen e saj

Të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt – Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla – janë paraqitur sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku po zhvillohet seanca gjyqësore ndaj tyre.

Në seancë janë paraqitur edhe familjarët e Ademajt në seancën gjyqësore për ta ndjekur gjykimin.

Seanca po mbahet në kuadër të procesit gjyqësor që po ndjek tre të dyshuarit për përfshirje në vrasjen e rëndë në fund të vitit 2023.

Vrasja e Liridona Ademajt- Naim Murseli dhe të tjerët paraqiten para gjykatës

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të mërkurën ka nisur seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës,

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Prezent në gjykim janë prokurorja Javorka Perlinqeviq, i akuzuari Murseli me avokatët Teuta Zhinipotoku dhe Ilir Bekteshi, kurse Plava me avokatin Skender Gojanin, dhe Kokalla me avokatin Ndrecë Dodaj.

Kurse, nga pala e dëmtuar- Leonard Ademaj me avokatin Leotrim Sylaj.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Caktimi i seancës së shqyrtimit gjyqësor u bë pasi Gjykata Themelore në Prishtinë më 26 mars 2025 ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Artikullin e plotë mund ta lexoni KETU

Gjithçka gati për seancën gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

Ka mbetur edhe pak kohë deri në nisjen e seancës gjyqësore në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

Në sallën e gjykimit vërehen forca të shtuara policore, që janë aty për sigurinë e pjesëmarrësve.

Siç raporton gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani aty ka mbërritur edhe prokurorja e rastit e cila tashmë ka zënë vendin e saj.

Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë ish-bashkëshorti Naim Murseli, Granit Plava, Kreshnik Kokalla, dhe Tom Dodaj.

Në seancën e 31 janarit, ish-bashkëshorti i Liridona Ademajt ishte deklaruar i pafajshëm.

Sot seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt

Sot do të mbahet seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.

Seanca mbahet në ora 13:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar aktakuzën ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.

E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen.

Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.