Operacioni ‘Qielli i Thyer’/ Njohësit flasin për sfidat e hetimeve dhe nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar – ja çfarë pritet të ndodhë më tej!

Në një nga operacionet më të mëdha policore të zhvilluara së fundmi, me emrin e koduar “Qielli i Thyer”, autoritetet shqiptare arrestuan 22 persona të dyshuar për përfshirje në krim të organizuar, trafik droge dhe pastrim parash.

Hetimet zbuluan se grupi kriminal përdorte aplikacionin e enkriptuar “SkyECC” për të komunikuar dhe organizuar aktivitetet e tij të paligjshme, duke shmangur për një kohë të gjatë ndjekjen e organeve të rendit.

Policia ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në rajonet e Prishtinës, Prizrenit, Pejës dhe Gjilanit, dhe në to janë bastisur 47 lokacione.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar prova të konsiderueshme materiale, lëndë narkotike, 129 vetura, para të gatshme, dhe janë ngrirë mjete në llogari bankare në vlerë prej 500 mijë eurove.

Operacioni, i ashtuquajtur “Qielli i Thyer”, është mbështetur nga shkëmbimi efektiv i të dhënave me autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe EUROPOL-it, i cili ka siguruar koordinim ndërkombëtar policor.

Ky rast hedh dritë mbi mënyrat gjithnjë e më të sofistikuara që përdorin rrjetet kriminale për të operuar në heshtje, si dhe mbi sfidat e reja me të cilat përballen institucionet ligjzbatuese në epokën digjitale.

Mirëpo të gjendur në këtë situatë a po sfidojnë rrjetet kriminale institucionet e sigurisë dhe a janë të mjaftueshme kuadri ligjor dhe provat digjitale nga aplikacione të enkriptuara si bazë për ndjekje penale të qëndrueshme në gjykatë?

Burjani: Në këtë fazë nuk ka vend për paragjykime për fajësi

Image

Blerim Burjani

Ai thotë se Policia është në fazën e parë e procesit hetimor kur përveç mbledhjës bëhet edhe analizimi i provave.

Gjithashtu cek që në këtë operacion ka pasur kryesisht prova digjitale dhe se ato formale duhet të kalojnë nëpër procesin e verifikimit.

“Kodet digjitale përbëjnë një nga pistat e hetimit. Aktualisht, hetimet janë në fazën e mbledhjes së provave, të cilat duhet të selektohen sipas rëndësisë. Një aspekt thelbësor në këtë fazë është vlerësimi i bazës së dyshimeve – nëse ka apo jo dyshime të bazuara në prova konkrete. Kjo është faza e parë e procesit hetimor, ku përveç mbledhjes, bëhet edhe analizimi dhe shkallëzimi i provave.

Provat materiale në këtë rast janë kryesisht prova digjitale, të cilat duhet të vërtetohen nga prokuroria për t’u konsideruar të vlefshme. Po ashtu, provat formale apo verbale – si incizimet dhe dëshmitë – duhet të kalojnë nëpër procesin e verifikimit dhe vërtetimit”, u shpreh ai.

Më tej, juristi thekson që në këtë fazë të hetimeve, nuk mund të flitet për fajësi mirëpo që prokurori ka detyrimin të mbledhë të gjitha provat e nevojshme, ndërsa kallëzimi penal nga ana e policisë duhet të dorëzohet në përputhje me kërkesat ligjore.

“Në këtë fazë nuk ka vend për paragjykime për fajësi, derisa të provohet e kundërta në një procedurë të paanshme dhe profesionale.

Për provat digjitale kërkohet ekspertizë e specializuar, me qëllim që të konstatohet ekzistenca e veprës penale. Tani është detyrë e prokurorit të mbledhë provat, ndërsa kallëzimi penal nga ana e policisë duhet të dorëzohet dhe të përmbajë bazën mbi të cilën prokurori mund të vazhdojë më tej me procedurën hetimore”, u shpreh Burjani.

Berisha: Krimi i organizuar është një fenomen shoqëror kompleks dhe i dëmshëm

Image

Fidair Berisha

Ndërsa në lidhje me sfidimin e rrjeteve kriminale ndaj institucioneve të sigurisë, ka folur eksperti i sigurisë, Fidair Berisha.

Ai thotë që sipas ligjit, krimi i organizuar nënkupton veprimtari kriminale të kryer nga një grup i strukturuar, për të cilën parashikohet dënim me burg. Por ai vëren se ky përkufizim ndryshon nga shteti në shtet, varësisht nga mënyra se si e kanë të rregulluar në legjislacionin e tyre.

Sipas tij, mungon një definicion i përbashkët dhe i pranuar ndërkombëtarisht për krimin e organizuar – as në shkencat politike, kriminologji apo në të drejtën penale dhe kjo tregon kompleksitetin e fenomenit.

“Krimi i organizuar në kuptimin e Ligjit paraqet kryerjen e veprave penale nga një grup i organizuar kriminal, për të cilin krim parashikohet  dënim me burg  dhe ky lloj denimi parashihet varësisht nga shtet si e kanё tё rregulluar me ligj.Vlen të ceket se ende nuk ka një përkufizim të pranuar përgjithësisht të konceptit të krimit të organizuar, as në shkencat politike, as në kriminologji, as në literaturën e së drejtës penale.

Kjo ndoshta ndodh pёr faktin se ky  është një fenomen shoqëror i kohёs moderne  dhe  nuk manifestohet në të gjitha vendet në të njëjtën mёnyrё. Mund tё themi se krimi i organizuar është një formë specifike e formave moderne të krimit profesional që ndryshon në shumë karakteristika nga format tradicionale të organizatave kriminale, si dhe nga format klasike të krimit, si kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar.  Në këtë kuptim, mund tё themi se asnjë kontinent, madje asnjë vend në botë nuk është imun nga ky fenomen”, u shpreh ai.

Tutje ai nënvizon bashkëbisedimin duke thënë që krimi i organizuar është një fenomen bashkëkohor dhe kompleks, që përfshin grupe të strukturuara që kryejnë aktivitete të paligjshme për përfitim.

Gjithashtu cek që rasti i fundit në Kosovë, ku u godit një rrjet që përdorte aplikacionin “SkyECC”, tregon nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar. Shtetet, përmes institucioneve të sigurisë, po e trajtojnë këtë kërcënim si prioritet për ta parandaluar dhe luftuar në mënyrë efektive.

“Krimi i organizuar është një fenomen shoqëror kompleks dhe i dëmshëm që i referohet grupeve ose individëve të organizuar dhe profesionalë që angazhohen në aktivitete të paligjshme, me qëllim  tё pёrfitimeve  të mëdha. Këto grupe kanë një strukturë dhe metoda të ngjashme me korporatat, me hierarki, kontroll dhe planifikim të qartë të aktiviteteve.Kjo u dёshmua edhe sё fundmi nё Kosovё me arrestimin e grupit tё fundit tё cilёt kishin pёrdorё aplikacionin “SkzECC” duke koordinuar aktivitetet e tyre kriminale.

Ky rrjet i organizuar  kriminal  dyshohet se është marrë me trafikim ndërkombëtar të narkotikëve dhe krim kibernetik ,andaj edhe bashkëpunimi i institucioneve tё  sigurisё sё Kosovёs me ato  ndёrkombёtar si autoritetet e Belgjikës, Francës, Holandës dhe Europol-it, mundësuan kёtё aksion tё jet efikas .Tashmё po dihet se krimi i organizuar ёshtё fenomen bashkëkohor ,mirёpo shtetet nё pёrgjithёsi, ndёr prioritetet nё kuptimin e sigurish e kana parasysh  këtë fenomen ,andaj në tё shumet e rasteve tё tilla shtetet mund t’i parandalojnë apo ti luftojnë këto grupe apo organizata kriminale”, përfundoi Berisha