Besimtarët myslimanë festojnë sot (6 qershor) Kurban Bajramin, një nga dy festat më të rëndësishme në kalendarin islam.
Mijëra besimtarë myslimanë u mblodhën në orët e para të mëngjesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për faljen e namazit të Kurban Bajramit, por edhe në xhamitë e tjera të vendit.
Kreu i komunitetit Mysliman, Haxhi Bujar Spahiu, në fjalën e tij iu drejtua besimtarëve me mesazhe paqeje, si dhe të shpresojmë që kjo ditë të jetë një ditë reflektimi për më shumë harmoni me njëri-tjetrin.
“Sot festojmë festën e Kurban Bajramit, ditën që bashkon zemrat tona në adhurim, mirënjohje dhe solidaritet. Si rrallëherë, sot bashkohet dita më e bukur e javës, ajo e xhuma, me ditën më të bukur të vitit, Kurban Bajramin. Një gëzim i dyfishtë. Sakrifica na mëson se besimi nuk është vetëm fjalë por vepër, jo vetëm ritual, por një angazhim i sinqertë për të qenë më të ndershëm dhe më të sinqertë. Feja jonë islame na mëson se besimi nuk është i plotë pa ndjeshmëri sociale. Nuk është i plotësuar adhurimi ynë nëse nuk përfshihet në të edhe përgjegjësia ndaj njëri-tjetrit. Shoqëria jonë nuk do të jetë kurrë e drejtë nëse në themelet e saj nuk qëndrojnë vlerat hyjnore: mëshira, mirësia, bujaria dhe ndershmëria. Lutemi për vendin tonë dhe për të gjitha vendet e tjera për mirësi, begati dhe paqe sociale.”, tha kreu i Komunitetit Mysliman.
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica, e drejtoi mesazhin e tij te sfidat që përball shoqëria sot dhe veçanërisht një nga institucionet e saj, familja:
“Në kohën që po jetojmë, ndikimi i modernizmit dhe sfidat që ai sjell janë të pashmangshme. Një ndër fenomenet më shqetësuese është ai i materializmit radikal, i cili ka përfshirë thuajse çdo sferë të jetës. Kjo është një krizë globale që ndikon thellësisht në mendjen, zemrën dhe strukturat shoqërore të njerëzimit. Në këtë epokë të globalizimit sfidat nuk njohin kufi. Ato përhapen me shpejtësi dhe ndihen në çdo cep të globit.
Fatkeqësisht ndër institucionet më të goditura nga kjo valë është familja, shtylla e shoqërisë, baza ku ndërtohen vlerat e brezave. Ne si besimtarë e konsiderojmë familjen si një institucion të shenjtë të frymëzuar nga vetë Zoti. Në institucionin e familjes po vërehet një largim nga vetvetja, një zbehje nga vlerat e natyrshme njerëzore. Por pavarësisht goditjeve të forta të kësaj epoke, ne kemi për detyrë të mbrojmë familjen nga ata që duan ta shkatërrojnë këtë dhunti hyjnore që Zoti ka vendosur në natyrën njerëzore. Familja është një institucion i lashtë, por kurrsesi i vjetruar. Ajo është më e nevojshme se kurrë,” u shpreh z. Bica.
Kurban Bajrami, qytetarët në rrethe falin namazin në sheshe e xhami
Mijëra besimtarë në të gjitha qytetet e vendit janë mbledhur herët në mëngjes në sheshe dhe në xhami për të kryer një nga ritualet e kësaj dite të shënuar, faljen e namazit.
Imami i xhamisë së Fierit, Mikel Hazizolli, drejtoi faljen e mëngjesit në ditën e Kurban Bajramit, në sheshin qendror në Fier, duke apeluar për harmoni, përkushtim dhe devotshmëri ndaj Zotit, duke i shërbyer familjes dhe njëri-tjetrit:
“O ju njerëz, shpërndajeni faljen, harmoninë gjithë njerëzimit, shpërndajeni paqen me njëri-tjetrin, bëhuni bamirës”, citoi ai profetin Muhamed, duke rikujtuar Kuranin e Shenjtë për mënyrën se si duhet të jetojnë dhe besojnë njerëzit. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë fierakë, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Fier.
Ceremonia e Kurban Bajramit është zhvilluar edhe në qytetin e Vlorës. Me qindra besimtarë kanë qenë të pranishëm ditën e sotme në ambientet e Pallatit të Sportit atje, për shkak se xhamia e qytetit është e mbyllur që pas përmbytjes.
Ceremonia është drejtuar nga Myftiu i Vlorës, Ardit Hoxhleku. Ai ka uruar besimtarët në këtë ditë dhe ka dhënë një mesazh për paqe kudo në botë: të mos ketë luftë, të mos ketë vrasje të fëmijëve të vegjël e të pafajshëm.
Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë jo vetëm qytetarë vlonjatë, por edhe të huaj që punojnë e jetojnë në Vlorë, si edhe turistë që ndodhen në qytet këto ditë.
Po ashtu, edhe besimtarët myslimanë në Lushnjë kanë falur namazin e Kurban Bajramit. Që në orët e para të mëngjesit, besimtarët janë falur në sheshin qendror të qytetit, ndërsa krerët myslimanë të Myftinisë kanë përcjellë urimet për paqe dhe harmoni mes njerëzve.
Namazi u fal në orën 06:40, ndërsa ceremonisë i parapriu me fjalën e tij Myftiu Gramoz Blliku. Ai përcolli mesazhin për më shumë paqe dhe respekt ndaj njëri-tjetrit, duke theksuar se kjo është dita kur ne shërojmë plagët që ia kemi shkaktuar njëri-tjetrit. Urimet solidarizuese ishin kryefjalë edhe për gjithë besimtarët në këtë ditë feste, ndër më të rëndësishmet e fesë islame.
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, qindra besimtarë myslimanë të Shkodrës morën pjesë në faljen e namazit të Kurban Bajramit në sheshin pranë Xhamisë së Fushë-Çelës. Ceremonia e faljes u udhëhoq nga zëvendësmyftiu i Shkodrës, Arben Halluni, i cili mbajti edhe ligjëratën e rastit. Në mesazhin e tij drejtuar besimtarëve, Halluni theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave familjare, fetare dhe kombëtare, duke bërë thirrje që qytetarët të mos braktisin vendin e tyre.
Festa e Kurban Bajramit u kremtua edhe në Lezhë. Me mesazhe paqeje e harmonie për njeri tjetrin si dhe lutjet për më shume begati, dhjetëra besimtare mysliman falen namazin në xhaminë e qytetit.
Myftiu i Lezhës, Sadetin Kotrri, gjatë urimit të Kurban Bajramit, përcolli një mesazhin për paqe, solidaritet dhe dashuri ndaj njëri-tjetrit. Ai theksoi rëndësinë shpirtërore të kësaj dite dhe rolin që ka në forcimin e lidhjeve njerëzore dhe besimit.
Festën e Kurban Bajramit e uruan dhe përfaqësues të pushtetit vendor dhe politik në Lezhë, të cilët zhvilluan vizita në myftininë e Lezhës.
Pas faljes së namazit, besimtarët uruan njëri-tjetrin për festën, duke vijuar me vizitat tradicionale në familje dhe tek të afërmit gjatë gjithë ditës. Kurban Bajrami është një nga dy festat më të mëdha të Islamit, që simbolizon sakrificën, mirësinë dhe përkushtimin ndaj Zotit.
Për besimtarët kjo është një ditë e veçantë. Ata urojnë njëri tjetrin për më shumë unitet në familje dhe për më shumë paqe për njerëzimin.
Ndërkohë në Mekë, vendin e shenjtë të besimtarëve, mbi 600 shqiptarë e miliona besimtarë janë duke kryer një nga 5 shtyllat e Islamit, Haxhin.
Kurban Bajrami pasohet në familjet e besimtarëve edhe me prerjen e një kurbani, kryesisht qingj, si shenjë devotshmëri dhe sacrifice.
Për 3 ditë me radhë, besimtarët myslimanë kanë mundësi të presin kurbanet e tyre kush nuk ka mundësi për sot, si dhe të kryejë disa tradita si vizita e të afërmve, njerëzve në nevojë apo e të sëmurëve.
Pritjet tradicionale me rastin e festës së Kurban Bajramit do të zhvillohen në selinë e KMSH-së nga ora 09:00 deri në orën 12:00.
Në kalendarin islam, Kurban Bajrami bie në ditën e 10-të të muajit Dhulhixhxhe dhe zgjat për tri ditë.
Të tjera
Jahjaga takon presidentin Obama në ShBA, kërkon mbështetje për Kosovën
Kosova duhet të jetë pjesë e plotë e Kartës së Adriatikut
Kosova me ngritje sensacionale në renditjen e FIFA-s pasi mposhti Suedinë