Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti treksa ka folur përkitazi me arrestimin e pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), ka thënë se ky është rezultat i operacioneve të suksesshme nga AKI, Policia dhe Prokuroria, transmeton Kosova Post.
“Arrestimi i pesë personave të dyshuar për bashkëpunim me shërbimin sekret serb (BIA), brenda pak më shumë se një viti (tre shqiptarë dhe dy serbë), është rezultat i operacioneve të suksesshme të udhëhequra nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), në bashkëpunim me Policinë dhe Prokurorinë. Këto raste, përveçse dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të Serbisë për destabilizim, konfirmojnë suksesin tonë në zbulimin dhe çmontimin e rrjeteve të inteligjencës serbe në Kosovë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook.
Shefi i ekzekutivit ka folur edhe për rastet për të cilat dyshohen të dyshuarit.
“Rastet përfshijnë: përpjekje për rishkrim të historisë me qëllim njollosjen e luftës së UÇK-së dhe mohimin e masakrës së Reçakut; infiltrime në organizata ndërkombëtare dhe në qarqe ekstremiste fetare me qëllim dëmtimin e sigurisë dhe imazhit të shtetit. Njëri nga të dyshuarit (A.V.), pas përballjes me dëshmitë, tashmë ka pranuar fajësinë”, thotë mes tjerash ai.
Kryeministri në detyrë shtoi tutje se “AKI, në bashkëpunim me mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë, ka treguar efikasitet të jashtëzakonshëm, aftësi të avancuara analitike e operative në mbrojtjen e sovranitetit dhe rendit kushtetues”.
“Ftoj qytetarët të jenë të vëmendshëm dhe të angazhuar në përpjekjet për një Kosovë të qëndrueshme dhe të pathyeshme ndaj çdo forme kërcënimi. Trajtimi i suksesshëm i këtyre rasteve duhet të shërbejë si shembull për rritjen e vetëdijes dhe forcimin e frontit të përbashkët për siguri kombëtare”, përfundoi ai
Të tjera
Sa dëshmitarë kanë mbetur para 90 ditëshit të shqyrtimeve të gjyqtarëve- A po i afrohet fundi gjykimit në Hagë?
Polonia kërkon ekspertizë dronësh nga Ukraina
Kosova fiton katër pozita në renditjen e FIFA-s