Ronaldo për `Topin e Artë`: `Duhet t’i takojë fituesit të Champions League`

`Duhet t’i takojë fituesit të Champions League`

Cristiano Ronaldo, fitues i pesëfishtë i `Topit të Artë`, ka thënë se ky çmim individual duhet t’i jepet një lojtari që ka fituar Champions League. 

‘Topi i Artë’, i dhënë për herë të parë në vitin 1956 nga revista franceze ‘France Football’, i jepet lojtarit që konsiderohet më i miri gjatë sezonit të kaluar.

Fitorja e thellë 5-0 e Paris Saint-Germain kundër Inter në finalen e Champions League javën e kaluar ka shtuar thirrjet që Ousmane Dembele të fitojë çmimin këtë sezon.

Megjithatë, paraqitja e jashtëzakonshme e talentit spanjoll Lamine Yamal në fitoren 5-4 ndaj Francës në gjysmëfinalen e Nations League të enjten, ka bërë që shumë të kërkojnë që i riu të shpërblehet me ‘Topin e Artë’, gjë që do ta bënte atë fituesin më të ri në histori, në moshën shtatëmbëdhjetë vjeçare.

Duke folur në prag të finales së Nations League mes Portugalisë dhe Spanjës që zhvillohet të dielën në Munich, sulmuesi veteran ka thënë se trofetë duhet të jenë vendimtarë për fituesin e ‘Topit të Artë’.

“Sipas mendimit tim, kushdo që e fiton atë, duhet të jetë pjesë e një ekipi që ka fituar trofe. Fituesi i Topit të Artë duhet të jetë në një ekip që ka fituar Ligën e Kampionëve”, është shprehur portugezi për gazetarët./rtk