Në Skenderaj është inauguruar çerdhja e re me investim prej 1.2 milionë euro i Bashkimit Evropian. Në ceremoninë e hapjes morën pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci.
Kurti e vlerësoi këtë investim si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës arsimore dhe mbështetjes së edukimit të hershëm në Kosovë.
“Çerdhja e re është dëshmi se fëmijët janë në qendër të veprimeve tona politike. Edukimi është strategjia jonë prioritare në qeverisje. Vetëm në Komunën e Skenderajt, gjatë mandatit tonë, kemi realizuar investime që kapin vlerën prej 3.2 milionë eurosh”, tha Kurti.
Nagavci theksoi rëndësinë e përmirësimit të infrastrukturës arsimore në këtë komunë, duke bërë të ditur se kjo çerdhe është njëra nga gjashtë që janë ndërtuar me mbështetje të BE-së në Kosovë.
“Çerdhja e re, me një hapësirë prej 1,600 m², do të ofrojë kushte të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve të ndryshme edukative për fëmijët”, tha Nagavci.
I pranishëm në këtë ngjarje ishte edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, i cili theksoi përkushtimin e BE-së për investime në arsim dhe të ardhmen e fëmijëve kosovarë.
“Kjo çerdhe nuk është thjesht një objekt, por një hapësirë për të ardhmen e fëmijëve. BE ka investuar mbi 70 milionë euro në përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Kosovë. Jemi të lumtur që do të investohet edhe në gjashtë çerdhe të tjera në komunat e Kosovës, përfshirë edhe Skenderajn. Kjo çerdhe do të ketë kapacitet për 120 fëmijë”, tha Orav.
Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, u shpreh mirënjohës për këtë investim, duke theksuar se është një shembull i partneritetit të sinqertë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Kjo çerdhe nuk është vetëm një ndërtesë, por simbol i përkujdesjes për të ardhmen tonë. Është dëshmi e qartë se edukimi nuk është luks, por e drejtë themelore për çdo qytetar. Përmes këtij investimi, fëmijët tanë do të rriten në kushte shumë më të mira” , tha Nura.
Çerdhja e re ndodhet në lagjen nr. 1 të qytetit të Skenderajt, në rrugën “Fazli Grajçevci”.
Të tjera
Mbahet shqyrtimi fillestar ndaj nënkryetarit të Listës Serbe, Slavko Simiq
Bulliqi thotë se Podujeva do të bëhet me park bujqësor
Britania do ta njohë zyrtarisht shtetin e Palestinës këtë fundjavë