Më 9 dhe 10 qershor 2025, Misioni i NATO-s KFOR, Misioni i Sundimit të Ligjit i Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës organizuan ushtrimin e përbashkët “Shpata e Artë 2025” në zonën e stërvitjes së Kampit Vrelo, në Prishtinë.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, për herë të parë pas disa vitesh, duke trajnuar stafin e saj në trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të municioneve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme, në përputhje me mandatin e saj fillestar.
“Ushtrimi ‘Shpata e Artë’ demonstroi integrimin dhe ndërveprimin e arritur midis kontingjenteve, komponentëve dhe aseteve shumëkombëshe të KFOR-it, si dhe aftësinë për të bashkëpunuar dhe koordinuar në menaxhimin e situatave të krizës me reaguesit e tjerë të sigurisë të pranishëm në Kosovë. Uniteti i qëllimit dhe përpjekjes është thelbësor për arritjen e objektivave, dhe në këtë rast, për të qenë i gatshëm të adresojë çdo sfidë që mund të rrezikojë stabilitetin rajonal, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.”
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, të përcaktuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe të mbrojtur për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë, duke garantuar lirinë e lëvizjes në mënyrë të paanshme.
Ky mision punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin EULEX, duke luajtur rolet përkatëse si reagues të sigurisë në terren.
Të tjera
Punime të domosdoshme, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten
Rainer Rudolph është Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë
Bastisje në Dubravë, të dënuarit kapen duke futur telefona e na*rkotikë