Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” është caktuar për 17 prill

Rreshteri policor tregon momentin kritik gjatë sulmit terrorist në Banjskë

Rreshteri policor Mirsad Kryeziu gjatë dëshmisë së tij ka treguar për momentin kritik kur rreshteri Afrim Bunjaku ishte duke luftuar për jetë, pas shpërthimit.

“Doja ta identifikoja cili ishte udhëheqës i ekipit që kishte ardhur në ndihmë tek ne. Në ato momente më është afruar, tha jam udhëheqës i patrullës, ishte Afrim Bunjaku. Kërkova nga ai që të ma jap një polic nga grupi i tij dhe të mundohemi t’i largojmë kamionët nga rruga. Jam hipur në kamion e kamë hap derën, posa e kam hap derën në ato momente kam dëgjuar një shpërthim dhe kanë filluar gjuajtjet në drejtim të pozicioneve tona. Kam vërejtur se nga ai detonim njëri nga prestarët tonë, Afrim Bunjaku ishte i shtrirë përtokë, i mbuluar me gjak, sepse detonimet që kishin bërë nga grupi terrorist mund ta quaj, ai ishte plagosur në fyt, plaga më e madhe e tij ishte në fyt, dhe kishte gjakderdhje të madhe. Ju afrova afër, ishte e pamundur që të bëja një ndalje të gjakderdhjes apo të bëja një ndihmë se gjuajtjet ishin të pareshtura. E kam tërhequr Afrimin pak, dhe kam filluar të shtijë në pozicionet e tyre, dhe gjatë gjuajtjes time me armë, filluan edhe kolegët që të shtinin në drejtim të tyre”, ka thënë polici Mirsad Kryeziu para trupit gjykues.