Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga autoritetet serbe gjatë kalimeve kufitare janë veprime arbitrare dhe të ngjashme me ato shoviniste të viteve 90-ta.
Osmani tha se Serbisë nuk i interesojnë as të drejtat e njeriut, as konventat ndërkombëtare, e as standardet evropiane.
“Siç po dëshmohet çdo ditë e më shumë, e vetmja mendësi që i përshtatet është ajo e diktaturave me frymë të së kaluarës”, deklaroi Osmani.
“Serbia duhet të ndalë menjëherë fushatën e saj të arrestimeve politike kundër qytetarëve të Kosovës dhe të mbahet përgjegjëse ndërkombëtarisht për veprimet e saj arbitrare. Këto veprime jo vetëm që pengojnë lirinë e lëvizjes, por edhe rrezikojnë çdo përpjekje për dialog e normalizim të marrëdhënieve”, theksoi ajo.
“Gjatë ditëve të fundit, përveç kontakteve të vazhdueshme me Zyrën Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, kemi kërkuar edhe reagimin e fuqishëm të shteteve të Quint-it dhe Misionit të BE-së, në mënyrë që këto shkelje të të drejtave të njeriut nga ana e Serbisë të mos injorohen”, shtoi Osmani.
“Njëkohësisht, përsëris thirrjen drejtuar qytetarëve tanë që të shmangin kalimin nëpër Serbi, duke qenë të vetëdijshëm për praktikat arbitrare të arrestimeve pa arsye si dhe për tendencat destabilizuese të këtij shteti”.



Të tjera
Këshilla për tenxhere dhe tiganë që zgjasin përjetë
Mundësi të barabarta për 313 fëmijë në edukimin e hershëm
Sekretari gjerman i Mbrojtjes vlerëson lart përkushtimin dhe profesionalizmin e ushtarëve të KFOR-it