Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda dhe Njësiti kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit, ka njoftuar opinionin publik për një aksion të suksesshëm të realizuar në bashkëpunim me policinë e Kosovës.
Sipas komunikatës zyrtare, aksioni është zhvilluar në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për kontroll dhe sekuestrim të përkohshëm të shtëpive dhe lokaleve përcjellëse.
“Në këtë operacion janë arrestuar dy persona të dyshuar të gjinisë mashkullore (V.H dhe D.I) dhe është sekuestruar dokumentacion që ndërlidhet me veprën penale. Me vendim të prokurorit dy personat janë ndaluar për shkak të veprave penale “Falsifikim i Dokumentit” nga neni 390, veprës penale “Legalizimi i Përmbajtjes së Rreme” nga neni 395 dhe veprës penale “Mashtrim” nga 323 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftim
Në njoftim thuhet se i dyshuari kryesor në këtë rast V.H – avokat dhe i dyshuari D.I – instruktor dyshohen se me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore kanë falsifikuar dokumentin, kanë legalizuar dokumente të falsifikuara dhe kanë mashtruar persona të ndryshëm duke shkaktuar dëm disa milionësh.
Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afateve ligjore, Prokurori i Shtetit do të ndërmerr veprimet e nevojshme procedurale në grumbullimin e provave.
“Prokurori i Shtetit njofton opinionin publik se mbetet i përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit dhe se do të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore për parandalimin e këtyre veprave, si dhe dërgimin para gjykatës të secilit kryes të këtyre veprave penale”, thuhet në njoftim.
Të tjera
Punime të domosdoshme, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të enjten
Rainer Rudolph është Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë
Bastisje në Dubravë, të dënuarit kapen duke futur telefona e na*rkotikë